Universitetet, nuk ka financim pa akreditim
Nëse universitetet publike apo ato private nuk do të akreditohen nga një agjenci të cilën mund ta zgjedhin vetë, ato nuk do të përfitojnë nga sistemi i ri i financimit. Drejtuesit e arsimit që merren me procesin e akreditimit thonë se të gjitha universitetet duhet t’i nënshtrohen këtij procesi, i cili vlerëson standardet që ato ofrojnë, pasi, në të kundërt, nuk do të përfitojnë fonde për studentët, apo për investime. ”Në qoftë se këto universitete private apo publike duan të përfshihen në procesin e financimit në skemën që propozon qeveria shqiptare, ato patjetër duhet të ballafaqohen me cilësinë në universitetet e tyre”, - pohon drejtori i Agjencisë Publike të Akreditimit në MASH, Avni Meshi. Përsa i përket procesit tjetër, që ka shpallur Ministria e Arsimit, renditja e universiteteve, ajo pritet të fillojë gjatë muajit prill. Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, aktualisht ka shumë universitete, publike dhe private, të cilat nuk kanë filluar ende të aplikojnë për procesin e akreditimit, ndërkohë që reforma e re financiare është në fazën e diskutimit, mes aktorëve të interesit. Lidhur me procesin e akreditimit të universiteteve gjatë ditëve të fundit ka folur edhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili ka bërë të ditur se procesi i vlerësimit të universiteteve do të nisë me ato private, ndonëse në këtë garë janë përfshirë edhe institucionet e arsimit të lartë publik. Sipas kreut të Arsimit, brenda muajit mars pritet të përfundojë procesi i vlerësimit të programeve që ofrojnë universitetet, nismë kjo që do t’i paraprijë akreditimit. Gjithashtu, ministri i Arsimit ka pohuar se fillimisht do të akreditohen universitetet private, pasi këto të fundit nga metoda e re e financimit duhet të plotësojnë këtë kusht për të përfituar fonde. “Ne synojmë që brenda muajit mars t’i miratojmë standardet e reja të pranuara nga shkollat tona. Këto standarde do të shërbejnë për vlerësimin dhe akreditimin institucional dhe të programeve të studimit. Në kuadër të reformës së financimit të arsimit të lartë, do të kryhet vlerësimi dhe akreditimi fillimisht i shkollave të larta private”, - ka deklaruar ministri Tafaj.