Nepravishta: ERE e pakënaqur me punën e CEZ
Kreu i Entit Rregullator të Energjisë ka deklaruar dje, në një konferencë për shtyp, se institucioni që ai drejton nuk është i kënaqur nga puna e CEZ, në lidhje me konsumatorin shqiptar. Sipas tij, ERE i ka kërkuar Kuvendit, duke iu referuar direktivave të BE-së, të ndryshojë masën e penalitetit ndaj CEZ Shpërndarje, duke aplikuar 3% mbi të ardhurat, që përkthehet në 10 mln euro. Nepravishta deklaroi se gjatë muajve nëntor – dhjetor ka pasur shqetësime nga opinioni publik, për fatura me titull dëm ekonomik, ku për konsumatorët familjarë u faturuan 4000 kë/orë dhe jo familjarë me 20 000 kë/orë. Ndërkaq, ERE mori masa duke e gjobitur CEZ me 350000 lekë, sipas ligjit në fuqi, dhe kërkoi që të pezullonte faturat me titull dëm ekonomik. Në konferencën për shtyp, Nepravishta përgënjeshtroi lajmin e dy ditëve më parë, të transmetuar nga një televizion kombëtar, se ai ishte shkarkuar nga qeveria për favorizim të KESH, në ulje tarifash në kurriz të operatorëve të tjerë. Ai sqaroi se ndryshimi i çmimeve dhe tarifave të energjisë elektrike bëhet sipas një metodologjie të përcaktuar dhe bërë publike. Njëkohësisht, Nepravishta deklaroi se ai për arsye familjare i ka kërkuar dorëheqjen kryetares së Kuvendit, si i vetmi institucion që emëron dhe shkarkon kreun e ERE-s, më 10 shkurt 2011, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.