Ndihma ekonomike, kushte më të forta
Në skemën e re të ndihmës ekonomike do të përdoren kritere të forta për seleksionimin e familjeve që trajtohen me asistencë. Nëse një familje ka një person emigrant, apo ka dikë të punësuar qoftë edhe me periudha të shkurtra, do të përjashtohet menjëherë nga skema. Zëvendësministri i Punës, Kastriot Sulka, ka sqaruar dje para anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Punës se janë 3 mijë persona që do të përjashtohen nga kjo skemë. Por, sipas opozitës, skema me kritere të reja të ndihmës ekonomike nuk zbut varfërinë ekstreme. Në komision është debatuar ashpër mbi llogaritjen e varfërisë ekstreme në Shqipëri, e cila në bazë të të dhënave të INSTAT-it është rreth 2 dollarë në ditë, si dhe për vendimin që lista e familjeve që përfitojnë asistencë të mos hartohet më nga pushteti lokal, por nga qeveria. Me gjithë diskutimet, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, pasi diskutoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9355, datë 10.03.2005 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore, të ndryshuar”, trajtoi çdo hallkë të tij dhe e kaloi draftin me shumicë votash në parim.