Pneumokoku, vaksinohen fëmijët e parë
Vaksinohen fëmijët e parë ndaj pneumokokut. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka qenë dje i pranishëm në ambientet e Poliklinikës Nr. 4 në kryeqytet, ku është bërë vaksinimi i parë i fëmijëve ndaj pneumokokut. “Sot fusim një vaksinë të re, e cila është blerë tërësisht me fondet e buxhetit të shtetit dhe që përbën një investim dhe hap të madh në luftën ndaj sëmundjeve dhe vdekjeve të moshës foshnjore. Me futjen e kësaj vaksine, e cila sot aplikohet në çdo vend të botës, programi kombëtar i vaksinimit jo vetëm ndihmon në uljen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë foshnjore, por edhe plotëson më së miri standardet e vendeve të zhvilluara dhe ato të Bashkimit Europian”, - është shprehur ministri Vasili. Vaksina, e cila ka kushtuar 1 900 657 milionë dollarë, është shpërndarë në të gjitha qendrat shëndetësore që ofrojnë vaksinim në vend. Vaksina aplikohet në moshën 2, 4 dhe 6 muaj dhe ajo do të ofrohet falas për të gjithë fëmijët që janë lindur nga data 1 janar i vitit 2011 dhe është e autorizuar nga Komisioni Europian në mars të vitit 2009. Kjo vaksinë është e konjuguar me emrin tregtar Synflorix dhe mbron ndaj shtameve kryesore qarkullues të pneumokokut: 14,18C,19F, 23F,4,6B,9V,1,5, 7F. Infeksionet respiratore dhe pneumonitë te fëmijët janë një problem madhor i shëndetit publik në Shqipëri. Ato vazhdojnë të mbeten shkaktari kryesor i vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë fëminore, e sidomos asaj nën 1 vjeç. Sëmundja e pneumonisë, e cila shkaktohet nga bakteri Streptococus pneumoniae, i njohur si pneumokoku, është një sëmundje mjaft e shpeshtë që shkakton vdekje te fëmijët nën 5 vjeç në të gjithë botën dhe që sot mund të parandalohet nga vaksinat. Pneumokoku shkakton infeksione mjaft të rënda te fëmijët si: pneumonia, meningiti dhe sepsisi apo infeksione të veshit dhe vret më shumë se gjysmë milioni fëmijë nën 5 vjeç në të gjithë botën.