E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gashi: S'dhashë dorëheqjen shkaku i hetimeve në MPB

(E plotësuar) Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, së shpejti do të largohet nga ky post. Ministria e Brendshme ka njoftuar se Gashi i ka kërkuar Bajram Rexhepit që t’ia shkurtojë mandatin dhe kërkesa ka ardhur për arsye personale.

Ndërkaq, në një prononcim për KTV-në, Gashi ka mohuar që kjo të ketë të bëjë diçka me hetimet që po kryhen në këtë ministri lidhur me skandalin e tenderit me pasaporta. “Ato janë vetëm thashetheme, unë këtë kërkesë e kam bërë para 3 javësh, për arsye personale dhe se po vlerësoj se nuk po mund ta kryej detyrën mirë”, ka thënë Gashi. Ai do të vazhdojë punën në këtë post deri në përzgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të MPB-së. Për Ilhami Gashin ishte ankuar kompania OeSD, kur gjatë një takimi, sipas tyre, ai kishte ngritur zërin drejt tyre. Ankesat e tyre ata i kishin drejtuar në ambasadën austriake në Prishtinë.

-----------

Është larguar nga detyra Sekretari i Përhershëm në MPB, Ilhami Gashi. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, Gashi sot ka kërkuar shkurtim të mandatit për arsye personale. Mirëpo, burime brenda MPB-së thonë se Gashi është shkarkuar nga ministri Bajram Rexhepi.

Sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, prej javës së ardhshme do të lërë detyrën në këtë ministri. Në njoftimin e Ministrisë thuhet se Gashi, për arsye personale, sot ka kërkuar nga ministri Bajram Rexhepi shkurtimin e mandatit të tij nga kjo pozitë dhe fillimin e procedurave të përzgjedhjes së Sekretarit të Përgjithshëm të MPB-së.

Por, burime brenda kësaj ministrie, thonë se largimi i tij nga detyra vjen pas një varg skandalesh korrupsioni që po hetohen në këtë ministri ku dyshohet se janë keqpërdorur miliona euro, shkruan zëri.

Dy nga më të mëdhatë janë tenderi për pasaportat biometrike dhe ai i targave të automjeteve, ku Gashi ka vënë nënshkrimin në to. Gjithashtu, një nga shkeljet e këtij zyrtari, është përmendur edhe rasti ku Gashi kishte thënë publikisht se Kosova nuk është Bangladesh duke u konsideruar si deklaratë jo e matur në kohën kur autoritete e Kosovës po kërkojnë njohjen nga ky shtet.

Ilhami Gashi do të vazhdojë mandatin e tij si Sekretar i Përhershëm deri në përzgjedhjen e Sekretarit të ri të MPB-së./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›