E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Marrëveshjet/ Shqipëria dhe Kosova i japin “OK” hekurudhës Durrës-Prishtinë, fundjavat dhe festat asnjë kontroll në kufi

Në mbledhjen e tetë të dy qeverive Kosovë-Shqipëri të mbajtur në Prishtinë janë nënshkruar disa marrëveshje të rëndësishme. Pranimi i studentëve në universistetet e dy vendeve është një nga marrëveshjet e firmosura mes dy ministreve të arsimit. Ministrja  Evis Kushi dekalroi se duke nisur nga ky vit, të rinjtë e të dyja vendeve do të kenë mundësinë të konkurrojnë në mënyrë të barabartë me njëri-tjetrin.

‘Një nga lajmet më të mira të kësaj mbledhje, ne sot u japim mundësi të barabarta dhe kushte të barabarta të gjithë të rinjve nga Shqipëria dhe Kosova për të studiuar në universitet tona. Do të unfikojmë të gjitha proceduarat që lidhen me aplikimin apo regjistrimin e studenteve. Duke filluar nga ky vit të rinjtë e dy vendeve mund të konkurojnë në mënyrë të barabartë me njëri tjetrin. Ne do ta zbatojmë menjëherë”, tha Kushi.

1 milionë euro do mbulohen nga Shqipëria dhe 980 mijë euro nga Kosova për projektin për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë.

“Marrëveshja e bashkëfinancimit vjen në vijim të bashkëpunimit 2 palëshe mes Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Kosovës. Synon përcaktimin dhe ndarjen e kostove. Fondi i përcaktuar për të gjithë projektin është 1 milion e 980 mijë euro, kështu që Shqipëria do të mbulojë 51% të këtij financimi dhe pjesa tjetër nga Ministria e Mjedisit të Kosovës. Ky studim tejkalon një projekt infrastrukturor. I përket një projekti kombëtar të shumëpritur që ka të bëjë me ndërtimin e portit të Durrësit dhe integrimin e ndërtimit të hekurudhës në projektin e madh.

Kjo linjë hekurudhore është nisja e një korridori të ri duke qenë se një nga problematikat që kemi hasur është përjashtimi i Shqipërisë më shumë se ai i Kosovës nga korridoret qendrore të Europës duke dhënë mundësi që ky mjet transporti shumë efikas të kthehet në një nga më të rëndësishmit për qytetarët shqiptarë në dy anët e kufirit. Është sfidë që të njihet si korridor”, tha Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj.

Një tjetër marrëveshje e firmosur mes qeverive, është ajo për krijimin e lehtësirave të kalimit në kufirin Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas. Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi bëri me dije se nga 1 qershori deri në 1 shtator gjatë fundjavave dhe festave zyrtare, qytetarët do të kalojnë lirisht në Shqipëri dhe Kosovë pa qenë nevoja e regjistrimit nga organet kufitare.

“Protokolli i parë që do nënshkruajmë me homologun Svelça që përgjatë periudhës së verës dhe gjatë fundjavave kur ka fluks lëvizjeje nga të dyja krahët ne do ta lehtësojmë plotësisht. Nëpërmjet protokollit të parë që do nënshkruajmë do përcaktojmë që prej 1 qershorit deri në 1 shtator, për çdo fundjavë dhe çdo ditë feste shtetërore në kufijtë tanë shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë do kalojnë pa qenë nevoja e regjistrimit nga organet kufitare në mënyrë që të mos krijohet asnjë radhë apo vonesë për qytetarët në të dyja anët”, tha ministri Çuçi. Ministri Çuçi dhe homologu i Kosovës, firmosën gjithashtu dhe  marrëveshjen për shkërmbimin informacionit në kohë reale ndërmjet dy vendeve për ndryshimet në gjendjen civile.

‘Shkëmbimin në kohë reale të të dhënave për gjendje civile të shtetasve të cilët janë martuar. Një shtetas i Kosovës çdo shtetas që martohet në Shqipëri do të njoftohet në kohë reale gjendja civile në Kosovë. Kjo për t’i ndërprerë rrugën çdo manipulimi që i shfrytëzojnë këto mundësi për t’ju shmangur drejtësisë.

Ky është një  nga protokollet që do të shkëmbejmë të dhënat në kohë reale për të gjitha çështjet që mbulojnë dy qeveritë respektive. Do kemi marrëveshje të tjera në të njëjtën”,– u shpreh Çuçi.

Po ashtu, Shqipëria dhe Kosova kanë firmosur memorandumin e mirëkuptimit për bashkimin doganor. Grupi i punës që do ngrihet pas miratimit të marrëveshjes, do të bëjë gati planin dhe do caktojë koston dhe përfitimin e bashkimit doganor. Hartimi i studimit do të prezantohet në nëntor.

Dy marrëveshje në sektorin e energjisë janë firmosur gjithashtu në mbledhjen e sotme. Belinda Balluku bëri me dije se marrëveshja e parë ka të bëjë me shkëmbimin e energjisë, ndërsa marrëveshja tjetër ka të bëjë me mundësinë e bashkëpunimi për ndërtimin e infrastrukturës për gazin natyror në terminalin në Vlorë.

‘I pari është memorandumi i mirëkuptimit. Kemi vështirësi në tregun e energjisë për shkak të luftës në Ukrainë. Për këtë arsye dhe duke pasur parasysh të gjitha projeksionet ne kemi nisur nga puna për të pasur një protokoll të rëndësishëm bashkëpunimi. Ne kemi nisur shkëmbimin e energjisë ku Republika e Shqipërisë depozitoi në Kosovë dhe u shkëmbye më pas në pranverë. Do të nisim dhe një memorandum ndërmjet dy ministrive për sa i përket zhvillimin të Terminalit në Vlorë. Kjo ka të bëjë më shumë me furnizimin me gaz”, u shpreh Balluku.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›