Rama: Abetarja e unifikuar në çdo vend ku ka shqiptarë! Kurti: Bashkëpunimi mes dy vendeve, intensiv

Ka nisur mbledhja e 8-të e përbashkët e dy qeverisë Shqipëri-Kosovë. Në nisje të fjalës së tij, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se brenda 6 muajve, nga mbledhja e fundit e përbashkët mes dy qeverive, janë zbatuar 12 marrëveshje dhe një tjetër marrëveshje e cila do të hyjë së shpejti në veprim. Ndërsa sa i përket marrëveshjeve që do nënshkruhen në këtë mbledhje të 8-të mes dy qeverise, Kurti theksoi, se qëllimi i tyre është lehtësimi i jetës së qytetarëve.
“Gjithnjë jemi një, tani duke kaluar nga një mbledhje në tjetër, duket ta kthejmë optimizmin në entuziazëm. Kjo mbledhje vjen 6 muaj pas mbledhjes së kaluar, ku u nënshkruan 13 marrëveshje. Jam i kënaqur të njoftoj se janë zbatuar të gjitha marrëveshjet, veç njërës që pritet të hyjë në zbatim shumë shpejt. Marrëveshjet që do nënshkruhen sot kanë për qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve. Është veti e këtyre mbledhjeve të flitet me gjuhën e rezultateve, pritshmëritë tona janë reale. Na mbete dhe përcaktimi i shpejtësive i realizimit, dhe besojmë se pas 6 muajve do kemi rezultatet e ardhshme”, tha Kurti.
Projekti për enciklopedinë shqiptare ka qenë kryefjala e Kryeministrit Rama në mbledhjen e dy qeverive. Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se abetarja e unifikuar do të jetë në çdo vend ku ka shqiptarë, ndërsa shtoi se do jetë në kontakt me Kryeministrat e Malit të Zi dhe Serbisë që kjo abetare të jetë dhe në këto dy vende.
“Projekti për enciklopedinë shqiptarë. Projekti madhor i albanologjisë që merr udhë si vullnet i përbashkët i dy qeverive. Është këtu vendi I duhur se ka përfunduar faza e parë për abetaren e unifikuar, kemi fituesin. Jam shumë I lumtur që bashkë me Albinin do të dorëzojmë abetaret e unifikuara. Ne kemi folur edhe me përfaqësuesit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, edhe me Kryeministrin e Malit të Zi dhe do të flasim edhe me Serbinë që kjo abetare e unifikuar të shkojë tek të gjitha familjet shqiptare. Edhe në diasporë gjithashtu. Do ta kemi abetaren e unifikuar kudo ku kërkohet”, tha Rama.
Rama është ndalur më tej te projekti për Portin e Durrësit që sipas tij është me rëndësi strategjike pasi ka brenda të integruar hekurudhën Durrës-Prishtinë.
“Sot më vjen shumë mirë që kemi ardhur bashkë me përfaqësues të kompanisë prestigjoze për të prezantuar studimin e portit të Durrësit, i cili faktikisht shtrihet nga Durrësi në Prishtinë me portin pritës në Durrës, dhe në portin e thatë të Prishtinës. Çka përbën një projekt me rëndësi strategjike që ka brenda të integruar hekurudhën Durrës-Prishtinë. Besojmë që duke e shtyrë bashkarisht këtë projekt të madh të Portit të Thatë të Prishtinës dhe të Durrësit të integruar me hekurudhën, gjë për të cilën kemi filluar kontaktet me NATO-n, jemi në një situatë tjetër për 10-vjeçarin e ardhshëm”, tha Rama.
Kryeministri u ndal dhe te investimet, ku bëri me dije se në Shqipëri ka mbi 1000 biznese kosovare. Ai shtoi se investimet janë rritur nga 9 mln euro në vitin 2017, deri në 139 mln euro në vitin 2021.
“E dyta që dua të sjell në vëmendje është që sot në Shqipëri rezultojnë të regjistruara mbi 1000 biznese nga Kosova. 1081 janë 100% janë pronësi të Kosovës. Investimet e Kosovës në Shqipëri në vitin 2017, 9 mln euro. Në vitin 2021, 139 mln euro. Është një shifër shumë domethënëse, e fundit që dua të sjell në vëmendje është fluksi i investimeve në vlerën më të lartë historike ka qenë 16 mln i 2018-ës. Ndërkohë që jemi në 41 mln në vitin 2021. Një indikator jashtëzakonisht i rëndësishëm. Kemi mundësinë ta intensifikojmë dhe ta shtojmë volumin e investimeve reciprokisht. Dua t’i kujtoj ministrave të brendshëm që kemi një protokoll të nënshkruar në prill”, u shpreh kryeministri Rama.