E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Mbështes Metën për Butrintin”, Berisha: Komisioni për Investimet Strategjike synime të kundërta me ç’presin qytetarët

Kryetari i Partisë Demokratike i zgjedhur nga procesi i “Rithemelimit”, Sali Berisha në një konferencë për media, ka bërë deklarata të forta për komisionin hetimor për investimet strategjike, komisioni për reformën zgjedhore dhe komisioni për reformën territoriale. Berisha ka bërë me dije se posedon të dhëna që Komisioni hetimor për Investimet Strategjike do përdoret pë të mbuluar aferat e mëdha.

“PD denoncon përpjekjet e Edi Ramës për pseudoopozitë për reformën zgjedhore dhe reformën territoriale. Konsideron këtë akt të Ali-Bashës si nëj nga aktet më të shëmtuara që ai bën në kurriz të vendit për Edi Ramën. PD do paraqes shumë shpejt qëndrimin  saj për këto reforma. Për komisionin për ivestimet strategjike s’kam asgjë kundër, por ka të dhëna që synimet janë të kundërta me atë që mund të presin qytetarët. Nëse do përdoren për të mbuluar aferat më të mëdha, si porti i Durrësit apo Butrinti, çka ne kemi disa të dhëna, do reagojmë fuqishëm në kohë”, tha Berisha.

Në fjalën e tij, kreu i PD i zgjedhur nga Rithemelimi, mbështeti Presidentin Ilir Meta për çështjen e Butrintit pasi ktheu ligjin për rishqyrtim në Kuvend.

“Plotësisht. A e pe votimin ti? Si votuan Ali Basha me Bardhin? Çështja e Butrintit është shumë e madhe, jo të Shqipërisë por të Evropës. E kam thënë dhe e them prap, Rama përpiqet të mbrohet me fondin shqiptaro amerikan. Nuk akuzoj fondin për korrupsion, por nuk jam dakord që ka bërë vetë studimin, ka përfshirë avokatin që ka bërë kontratën, e ka përfshirë në bord. Nuk jam dakord me bordin që ka ngritur sepse Ministrja e Kulturës që vetëm me kulturën nuk ka asgjë të përbashkët, ka pranuar që Ministria e Kulturës të jetë për 2 vite dhe më pas të jetë Margariti. Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë një gjë e tillë. I bëj thirrje bordit të mblidhet dhe ta shohë edhe njëherë këtë problem që nuk mund të mbyllet. Është pasuri përrallore e shqiptarëve”, tha Berisha.

Më tej, teksa komentoi mbledhjen e përbashkët të dy qeverisë Shqiptare-Kosovare, Berisha tha se Edi Rama duhet të njohë gjenocidin serb në Kosovë. Kjo sipas Berishës, do jetë një nga vendimet e para që do marrë nëse PD vjen në pushtet.

“Edi Rama në qoftë se do të kishte minimumin e respektit për qytetarët e Kosovës, vuajtjen dhe sakrificën e tyre, martirizimin e tyre në më shumë se 150 vitet e fundit, duhet të shkonte këtë herë në Kosovë duke pas njohur gjenocidin ciklik serb në Kosovë. Janë 1400 qenie të pafajshme që u vranë e u dogjën vetëm e vetëm se kishin prindër shqiptarë në shtëpitë e tyre. Në këtë aspekt mohimi që ai i bën gjenocidit ciklik serb në Kosovë që fillon nga gjysma e dytë e shekullit të 19 dhe përfundon me operacionin Patkoi në 1999 është një akt akuzë shumë e rëndë për karakterin dhe ndërgjegjen kombëtare.

T’i mohosh këto është një lloj si të shkelmosh mbi shpirtrat, gjakun e tyre, por kur këta janë shqiptarë, kjo është forma më e lartë e tradhtisë kombëtare. Ndaj dhe unë mund të kem shumë probleme tjera për të shtruar sot në marrëdhëniet mes Shqipërisë e Kosovës, por zgjodha vetëm këtë, sepse edhe marrëveshjet, unë i ndoqa recitimet e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare, në një kohë kur shqiptarët presin një marrëveshje, dyshtetësinë, apo shtetësinë sipas dëshirës, kjo është marrëveshja që presin shqiptarët, por këtë natyrisht, krahas njohjes së gjenocidit, do të jetë marrëveshja e parë, përveç heqjes së taksës në Rrugën e Kombit, që do të firmoset nga qeveria e ardhshme e PD”, u shpreh Berisha, teksa shtoi se po përgatiten për zgjedhjet e 2023. PD, theksoi ai, nuk mund të qëndrojë vetëm brenda një lloj veprimtarie.

“Ne po parapërgatitemi dhe do fillojmë shumë shpejt,. Nuk do humbasim kohë në procedurën tonë, që është primare. Vjeshta e parë do jetë periudha e fillimit të zhvillimit të primareve për kandidaturat tona. Po bëhen përpjekje, në një takim me kryetarët e degëve kërkova një përpjekje shumëplanëshe sepse PD nuk mund të qëndrojë vetëm në një lloj veprimtarie. Koha e thërret për një aktivitet të shumëllojshëm. Protestat në rend dite të PD. Beteja do jetë kjo, betejë elektorale dhe betejë anti regjim. PD do shfrytëzojë çdo lloj potenciali për qëllimet e saj”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›