E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshjet e dëmshme

Kur një bankë komerciale ia mësyn tregut kosovar, duhet të përmbushë dy kritere. E para, të merret vesh me Bankën Qendrore dhe bankat e tjera komerciale në Kosovë për normat e interesit dhe e dyta, të mos sjell shumë risi në treg.
Bankat komerciale në Kosovë nuk dallojnë gati hiq, kur është në pyetje norma e lartë e interesit dhe produktet që ato ofrojnë. Krejt kjo bëhet në saje të marrëveshjeve për të mos i ulur kamatat. Do të thotë, për të mos i ulur fitimet. Këto i tregojnë burime të gazetës Express, brenda Qeverisë së Kosovës.

Këtë është duke hetuar edhe Agjencia e Konkurrencës në Kosovë. Sipas shefit të kësaj agjencie, Osman Ejupi, bankat kanë një lloj marrëveshje për të mos i ulur kamatat, por këtë janë duke e hetuar. Ai ka deklaruar më herët për Express se bankat do të dënohen për këtë marrëveshje pas hetimeve. Gjithmonë, nëse kjo vërtetohet, ka thënë ai. Këto burime, gjithashtu tregojnë se këto banka, me ndikimin e tyre, nuk kanë lejuar as realizimin e projektit të Post Bankës, i cili u ndalua qysh n`iniciativë.

Edhe pse nga Ministria e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit kanë deklaruar se ky projekt do të realizohet, në fakt, nuk është duke u punuar fare në këtë projekt. Krejt kjo pasi ministri Fatmir Limaj pati deklaruar që do të jetë një bankë e cila do të lansojë produkte të reja dhe kamata shumë të buta për qytetarët e këtij vendi.

“Bankat janë lidhur me të parët e institucioneve të huaja e vendore dhe me ndikimin e tyre nuk e lënë të zhvillohet në asnjë mënyrë tregu bankar, konkretisht konkurrenca”, tha ky burim. Për këtë, sipas tij, është ndaluar edhe projekti i Post-Bankës.

Këtë e argumenton aq më shumë Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP.
GAP, ka hulumtuar se bankat komerciale në Kosovë nuk ndryshojnë për nga normat e interesit dhe produktet që kanë në treg. Sipas bankometrit të këtij instituti, i publikuar para disa ditësh, norma mesatare e kredive personale në bankat komerciale sillet nga 10.8 deri në 12 për qind. Ngjashëm, publikimi tregon se krahasuar me periudhat e mëhershme, vërehet hezitim te bankat për dhënien e kredive dhe për kritere të ashpra në marrjen e tyre. Ky institut nuk ka dashur të deklarohet për mundësinë e ekzistimit të një marrëveshjeje mes bankave rreth normave të interesit, por as nuk e ka mohuar një gjë të tillë. Në anën tjetër, ekonomisti Flamur Keqa thotë se nëse ndodhin marrëveshje paraprake për të marre licencë bankare me kushte të cilat janë kundër ekonomisë së lirë të tregut dhe kundër legjislacionit financiar kombëtar dhe ndërkombëtar, janë absolutisht të papranueshme, sepse kjo frenon aktivitetet e konkurrencës së lirë në treg. Për këto marrëveshje, tha ai, do të duhej që dikush të japë përgjegjësi.

“Konkurrenca midis bankave komerciale në Kosove më tepër po zhvillohet në aspektin e zgjerimit të gamës së ofruar të produkteve dhe të shërbimeve, edhe pse ende në nivel jo të lakmueshëm, sesa ofrimit të shërbimeve më të lira për klientët e bankave”, tha ai. Për Keqën, vetë prania e 7 a 8 bankave në tregun kosovar, duke marrë parasysh edhe përmirësimin e disa faktorëve ekonomikë në zvogëlimin e rrezikut bankar, do të duhej të sjellin produkte dhe shërbime më të lira bankare.

Bankometri i institutit GAP tregon se në ProCredit Bank aktualisht mund të merren kredi personale me norma të interesit prej 11.9 për qind, në “Raiffeisen” dhe “NLB bank” me 12 për qind, në “TEB” me 10.8 për qind, në “Bankën Private të Biznesit” dhe “Bankën Kombëtare Tregtare” me 11.5 për qind dhe në “Bankën Ekonomike me 11 për qind normë të interesit vjetor. Ndryshe, sa u përket dënimeve, prin ProCrediti dhe TEB bankë. E para, në rast të vonimit të kësteve dhe mbylljes se parakohshme të kredisë, aplikon dënimin prej 50 për qind të shumës, kurse TEB-i aplikon masën prej 50 për qind në rast të mbylljes se parakohshme të kredisë. Pesë bankat e tjera aplikojnë masa të penalitetit prej 1 deri në 10 për qind. Shuma maksimale për kredi personale në bankat komerciale sillet nga 5 mijë deri në 10 mijë euro.

Kreditë e shtrenjta
Kreditë për biznes dhe kreditë agrare kanë koston më të lartë dhe sillen nga 12 deri në 15.6 për qind. Edhe këtu prin ProCredit me 15.6 për qind normë të interesit, kurse më e lira është NLB bankë me 12 për qind interes.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›