Matura, 20% të pikëve nota e çdo provimi
Barazohet përqindja e pikëve të provimeve të Maturës për të gjitha gjimnazet. Për rrjedhojë, këtë vit, nota e secilit prej katër provimeve do të zërë 20% të pikëve në llogaritjen përfundimtare, përfshirë edhe gjimnazet profesionale. Më parë, përqindja e notave për dy provimet me detyrim, Gjuhë-Letërsi dhe Matematikë, ka qenë e ndryshme për shkollat profesionale dhe social-kulturore, krahasuar me gjimnazet e drejtimit të përgjithshëm, natyror apo shoqëror. Kështu, në shkollat profesionale Letërsia është vlerësuar me 15% të peshës së pikëve të Maturës, kurse Matematika me 25%, ndërsa në shkollat social kulturore, Letërsia dhe Gjuha shqipe 25%, Matematika 15%, dhe në shkollat pedagogjike, Letërsia dhe Gjuha shqipe 20%, Matematika 20%. Ndërkohë që për gjimnazet e drejtimit të përgjithshëm, natyror dhe shoqëror, përqindja e pikëve qoftë për dy provimet me detyrim edhe për ato me zgjedhje ka qenë dhe mbetet 20% nota e çdo provimi. Specialistët e arsimit shpjegojnë se falë ekuivalentimit që u është bërë këtyre lëndëve në shkollat profesionale, këtë vit, për herë të parë, notat e provimeve dhe mesatarja, në llogaritjen e rezultatit final për pikët e Maturës, do të kenë të njëjtën peshë për të gjithë maturantët, veçse diferencimi do të bëhet në përgatitjen e testeve për dy provimet me detyrim. Kështu, me gjithë barazimin e peshës së pikëve për provimet me detyrim, testet e këtyre të fundit nuk do të jenë të njëjta për të gjitha gjimnazet, por do të hartohen sipas profilit të gjimnazit, mbështetur edhe në programet orientuese të hartuara nga Ministria e Arsimit. Një javë para mbajtjes së çdo provimi të Maturës, specialistët e përzgjedhur nga ministri i Arsimit për hartimin e testeve do të izolohen për të përgatitur tezat përfundimtare. Deri tani, rregulli i pandryshuar për hartimin e testeve për dy provimet me detyrim të Maturës, që janë Letërsi-Gjuhë Shqipe dhe Matematikë, është se tezat do të hartohen veçmas sipas profilit të shkollave të mesme dhe pyetjet do të jenë me tre nivele vështirësie. Përsa i përket profilit të shkollave të mesme, hartuesit e testeve do të përgatisin shtatë teza të ndryshme për secilin prej dy provimeve me detyrim. Konkretisht, për provimin e parë me detyrim të Maturës, Letërsi dhe Gjuhë shqipe, hartuesit e testeve do të përgatisin tezë të veçantë për gjimnazet: pedagogjike, seksioni 2-gjuhësh, drejtimi natyror, drejtimi shoqëror dhe i përgjithshëm, profesionale 3+2, 5-vjeçare, gjuhët e huaja, artistike dhe koreografike. Kurse për Matematikën, që do të jetë provimi i dytë me detyrim i Maturës, testet do të hartohen sipas këtyre profileve: natyror, shoqëror, i përgjithshëm, gjuhët e huaja, pedagogjike dhe teknike 3+2, teknike 5-vjeçare, artistike dhe koreografike.
Provimet
Më 24 maj maturantët do t’u thonë “lamtumirë” bankave të shkollës së mesme, për të nisur përgatitjet për katër provimet e Maturës, me rezultatet e të cilave ata do të futen në konkurrim për garën e pranimeve në universitete. Ndërkohë që para kësaj date, sipas afateve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit, çdo DAR/ZA duhet të dërgojë brenda datës 24 maj 2011 në Agjencinë Kombëtare të Provimeve (AKP), emrat e nxënësve maturantë mbetës në përfundim të vitit, për t’u hequr nga lista e provimeve të Maturës Shtetërore, çka do të thotë se këta maturantë nuk mund t’i nënshtrohen këtë vit provimeve të Maturës, por vitin e ardhshëm, pasi të kenë kaluar me sukses edhe provimet shkollore. Sipas datave të vendosura nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, provimit të parë me detyrim të Maturës, Gjuhë shqipe dhe Letërsi, maturantët do t’i nënshtrohen ditën e parë të muajit qershor; Matematikës, më 15 qershor; ndërsa dy provimeve me zgjedhje, që zhvillohen në të njëjtën ditë, më 30 qershor. Ndërkaq është përcaktuar edhe periudha e zhvillimit të provimeve përfundimtare në shkollat profesionale 3-vjeçare dhe në nivelin e parë 3-vjeçar të shkollave profesionale 3+2-vjeçare, që do të jetë 26-30 maj 2011. Lëndët dhe datat e provimeve të Maturës, për disa kategori shkollash të mesme janë: në shkollat e mesme pedagogjike për minoritetin: Gjuha dhe Letërsia Greke, 28 maj 2011; në seksionet dygjuhëshe: Gjuhë e huaj, 28 maj 2011; në shkollat e mesme artistike dhe sportive: formimi teorik-praktik profesional, 26 maj 2011; në shkollat e mesme teknike-ekonomike dhe teknike-profesionale 5-vjeçare dhe 3+2-vjeçare: formimi teorik-praktik profesional, 26 maj 2011.