E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marseja “zhyt” Interin, Bajerni humb në Zvicër

ITALI- Olimpiku i Marsejës dhe Bazeli kanë bërë surprizat e radhës në Champions League, duke fituar ndaj skuadrave si Interi apo Bajerni i Mynihut. Mbrëmja e djeshme ka qenë vërtet e paparashikueshme për kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube, ndërkohë që dy ekipet pritëse, nuk kanë falur asgjë. Në “Velodrome”, Marseja e Didier Deshamp ka zhvilluar një ndeshje të kujdesshme dhe pa shumë raste për shënim, por sërish ka ditur të marrë një fitore 1-0, që i jep shumë avantazh për ndeshjen e kthimit në Milano. Si francezët, ashtu edhe skuadra e Klaudio Ranierit, janë munduar më shumë të mbrohen, duke treguar edhe limite të formës së tyre fizike. Ranieri pati zgjedhur një formacion të çuditshëm, duke lënë Militon në stol dhe duke hedhur Diego Forlan e Zarate, ndërkohë që mesfusha ka qenë e “blinduar” me emra si Kambiaso, Stankoviç, Zaneti apo Obi. Ndërkohë, Deshamp është treguar akoma më i kujdesshëm, duke i ndërtuar një mbrojtje thuajse perfekte. Për minuta të tëra, Interi ka treguar më shumë kompaktësi në krahasim me ndeshjet e fundit, ndërsa në tribunë nuk ka munguar as presidenti Morati, që shumë rrallë shkon në transfertë për ekipin e tij. Forlan, Zarate e Stankoviç kanë qenë shumë pranë golit për Interin, duke konfirmuar edhe momentin ters të ekipit. Në minutën e dytë shtesë, pas një goditje këndi, Marseja ka gjetur golin e avantazhit, duke shokuar Interin. Krosi i Valbuenës gjeti kokën e Andre Ajevu, i cili shumë pranë vijës fatale, mposhti portierin Zhulio Sezar. Një gabim i rëndë i qendrës së mbrojtjes zikaltër, që lejoi lojtarin ganez të dilte shumë pranë kuadratit dhe i pashqetësuar të shënonte një gol të rëndë.
BAJERNI
Në Zvicër, Bazeli ka mposhtur 1-0 Bajernin e Mynihut, duke treguar se eliminimi që ai i bëri Mançester Junajtid në fazën në grupe nuk ishte aspak një surprizë. Tashmë janë edhe gjigandët bavarezë ata që rrezikojnë të dalin jashtë turneut, duke parë se rezultati 1-0 ka qenë përherë shumë i vështirë për t’u përmbysur. Për më tepër, skuadra e Bazelit këtë vit ka treguar një kompaktësi të admirueshme dhe një forcë të jashtëzakonshme me ekipet e mëdha. Sa i përket ndeshjes së mbrëmshme, për çudi ajo është dominuar nga ekipi vendas, që ka goditur disa herë edhe shtyllën. Bajerni ka treguar edhe në Champions formën e dobët të kampionatit, duke patur shumë pak rrezikshmëri para portës. Pas një dominimi të gjatë, Stoker mposhti gjigandët bavarezë në minutën e 86-të, duke shkaktuar një nga surprizat më të mëdha të kësaj faze. Bajerni gjithsesi do të synojë përmbysjen në kthim, duke kërkuar patjetër të arrijë në finalen e majit, që zhvillohet pikërisht në “Allianz Arena”. Disfata e mbrëmshme pason një seri rezultatesh jo të mira në vitin 2012 për ekipin bavarez, që duket e ka humbur shkëlqimin e fazës së parë. Ndeshja e kthimit do të luhet më 13 mars dhe deri atëherë, forma e ekipit të Jup Hajnkes mund të ketë ndryshuar për mirë.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›