E Diel, 1 Nëntor 2026

Marshalli dhe mercenarët e tij

Kryeministri i Shqipërisë, vetëm pesë ditë pas masakrës shtetërore të Gërdecit, riveshi uniformën e “marshallit”, nofkën militaro-autoritariste që mban prej vitit 1992 në qarqet e ngushta, dhe me pushtetin e të cilës kishte çuar vendin në greminë në pranverën 1997, dhe po ritenton 11 vite më pas. Ndërsa furia informative po sjell mijëra fakte se shpërthimi në periferi të kryeqytetit shqiptar ishte një vepër kriminale e bekuar nga qeveria shqiptare dhe përfituesit shkojnë nga Kryeministri deri te kriminelët ordinerë, marshalli goditi median dhe punonjësit e saj, të cilët, prej misionit dhe detyrimit qytetar, prej pesë ditësh po publikojnë faktet që inkriminojnë kabinetin qeverisës të mandatuar në shtator 2005. Është lehtësisht e dallueshme urrejtja patologjike e marshallit ndaj shtypit të lirë, të cilin e kishte dënuar me tortura dhe kërcënuar me vdekje në kohën kur ishte President. Ai lavdëroi punën e atyre mediave që raportuan vetëm ditën e shtunë, më 15 mars 2008, kur pak orë pas shpërthimit apokaliptik, pista e vetme e tragjedisë dukej se ishte një gabim njerëzor. Ato media nxorën para shqiptarëve se fajtorët ishin ata punëtorë fatkeqë që lanë kockat në punishte, se mijëra shtëpitë nuk do të shkatërroheshin, nëse nuk do të ishin bërë pa leje afër magazinës së municioneve, nxorën pa pikë turpi drejtuesit kriminelë të bekuar nga qeveria, që të mbronin biznesin e tyre shfarosës, nga fitonin dhjetëra-milionë dollarë. Këto media që i pëlqejnë marshallit të nesërmen, heshtën dhe u rikthyen në normalitet, te telenovelat, filmat, sporti, thua se kishte plasur një bombël gazi në oborrin e një shtëpie të izoluar, masturbuan duke evokuar përpjekjet titanike të Kryeministrit vrasës për të mbuluar varrin masiv që kishte hapur me duart e tij. Por mediat e tjera, ato që nuk duan të jenë pudra që mbulon indet e vdekura të qeverisjes, vijuan misionin. Orë pas ore, ditë pas dite, trupat e karbonizuara të viktimave, të mbijetuarit që do të rrojnë me imazhet e krimit të shkaktuar nga qeveria, fshati i rrënuar i Gërdecit, mijëra dëshmitë për fitime miliona dollarëshe me jetën e shqiptarëve, treguan se baruti ishte ndezur nga selia e qeverisë shqiptare. Se ajo kishte patur dijeni për gjithçka ndodhte, se ajo e kishte lënë këtë biznes makabër të ngulej, magazinohej dhe shpërthente, në zemër të zonës metropolitane, se përfituesit e saj janë kriminelët, ata të veshur me pushtet politik dhe të pangopur me pushtet ekonomik. Marshalli me qeshjen makabre, i hodhi dje akuzat kriminale në tubimin e mercenarëve që ka afruar në kabinetin qeveritar, ata që përditë mbledhin dhe magazinojnë bombat nukleare në bujqësi, arsim, kulturë, ambient, rend, diplomaci dhe atje ku arrin dora e shtrirë e qeverisë makute. Ata mercenarë që kishin milituar si spiunë të Sigurimit të Shtetit, familjarë të trafikantëve të drogës, plaçkitës të buxhetit të mbledhur nga taksapaguesit shqiptarë dhe donatorët bujarë nga mbarë bota, që rrjepin përditë shqiptarët me çmimin e bukës së përditshme, shkollimin e fëmijëve, rritjen e taksave dhe pagesat nën dorë për taksidarët e qeverisë, të sotmen dhe të ardhmen e pasigurt.
Ata që u distancuan me kohë nga banda mercenare që ka marrë drejtimin e vendit, janë dëshmitarët okularë të kabinetit qeverisës. Është ashtu siç thotë një ish-ministër i larguar me nder nga banda në pushtet dhe që sot është i penduari i mafias qeveritare. Ai që thotë se marshalli i rikthyer në pushtet, i flaku idealistët dhe mbajti afër banditët, që luftojnë me kohën që nuk kthehet për të bërë miliardat, duke i nxjerrë me gjakun e shqiptarëve. Është një ish-zyrtar i lartë i drejtësisë në këtë vend, që thotë se i vjen turp pse dikur shërbeu si këshilltar i marshallit, kur ishte Presidenti i kasaphanës 1997. Është ai që thotë me gojën plot se shqiptarët janë sot më të pashpresë se kurrë me marshallin Kryeministër, sepse ai është një qenie me probleme të rënda psikike, të cilat i tregoi me histerinë psikopatike të kohës së presidencës autoritariste dhe i ricikloi sërish kur i rihipi kalit të pushtetit.
Sot, rreth marshallit ka mbetur një grusht mercenarësh. I mban rreth tij, thesi i zi dhe i përgjakur i korrupsionit dhe trafikimit me jetët e shqiptarëve. Ata do të jenë me të deri kur të nënshtruarit t’ia shkulin spaletat e diktatorit. Për ta lënë lakuriq, si në pranverën e 11 viteve më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›