E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjegjani, fshati me 20 depo municionesh mbi krye

Ministria e Mbrojtjes mori 250 tonë municione dhe i dërgoi në Gërdec. Ngarkesa të tjera janë nisur drejt Durrësit
MIRDITË- Gjegjani është nga fshatrat më të bukura të luginës së Fanit të Madh, dhe si një nga rajonet e përmendura në histori e resurse nën e mbitokësore, sot përbën një nga komunat më të mëdha të Pukës me afro gjashtë mijë banorë. Parcelat e mbjella e të sistemuara hijshëm këtë fillim pranvere tregojnë për kujdesin e banorëve të këtyre anëve që i kushtohet tokës me shumë zell. Por duket se për gjegjianët e tërë moshave ky vend mund të bëhet krejt papritur “bukuria që vret”, pasi aty, sidomos pas ngjarjes tragjike të Gërdecit, jetohet me ankthin e armatimit të shumtë që u qëndron si rrezik mbi kokë tërë fshatit. Mu në mes të fshatit qendër komune, numërohen 20 depo të mëdha rezervash ushtarake ku strehohet lloj-lloj armatimi dhe municion që nga predhat ekalibrit 75 mm e më poshtë, ashtu si dhe granata kundërtank, granata dore mësymëse dhe defensive si dhe një sasi lëndë plasëse.
E njohur si një nga rezervat më të mëdha të zonës së Veriut, këtu në këto depo që shtrihen në më se 16 hektarë, sasitë e mëdha të municionit dhe armëve e bënë dhe vendin më të lakmueshëm për grabitësit e ’97-s ku vetëm kallashnikovë u morën mbi 120 mijë copë pa përmendur armë të kalibrave të rënda dhe mijëra ton municione të tjera. Pas vitit ’97 mblidhet këtu i tërë arsenali luftarak i zonës së Veriut në një projekt të avancuar grumbullimi nën kujdesin e specialistëve të NATO-s dhe në fakt bëhet një nga qendrat model për mënyrën sesi u mblodh si dhe selektimi i municionit dhe krijimi i diafragmave me metoda bashkëkohore në ruajtjen e materialit të shumtë e të rrezikshëm luftarak. Është për t’u theksuar se këto vite u tërhoqën në këtë punë specialistë të përmendur të xhenios shqiptare, oficerë e teknikë që e njihnin mirë ndaj dhe çdo gjë vajti pa as dhe një incident.
Specialistët që kanë marrë pjesë në atë projekt rrëfejnë për gazetën se një sasi e konsiderueshme municioni, që kishte arritur afatet e skadimit, u nda në vete dhe filloj procesi i demontimit me plasje. Vendi i plasjes ishte gjetur në bjeshkët mbi gjashtë km nga fshatrat e kësaj zone, dhe ku çdo gjë kryhej me shumë kujdes, dhe me zhurma të amortizuara pas metodave që përdoreshin. Dhe këtu pa ndodhur as dhe një aksident. Madje kanë qenë vetë banorët e Gjegjanit që kanë kërkuar që poligoni i çmontimit me plasje asokohe të largohej dhe më tutje, ndaj ato u bënë në bjeshkët e Lajës, një poligon tejet i sigurt. Sipas specialistit, ushtarak karriere Preng Bardhi, i trajnuar në sa e sa seminare me xhenierë vendas e të huaj, në këtë lloj demontimi kishim parasysh që të mos lëndonim askënd, as dhe bagëtitë, jo më njerëzit. Madje e zgjidhnin dhe kohën, kur ishte dimër e me lagështirë dhe jo në verë, thjeshtë për të mos ndotur ambientin edhe atje në majë të bjeshkës. Ndërkohë që materiali luftarak filloi të kërkohej nga të interesuar në ministri, sidomos municioni i rëndë luftarak, për tu demoluar sipas urdhrave të ministrisë në rajonet poshtë. Disa ngarkesa dërgohen në Durrës, ndërsa një sasi prej 250 ton niset për në Gërdec.
Gjatë këtij procesi, thjesht nga rënia pa dashje e një predhe artilerie nga karroceria e një kamioni, plasi një djegore që shkaktoj plagosjen e rëndë të 4 personave që punonin aty, ndaj vazhdimisht ata i janë ruajtur kësaj pune. Një prej specialistëve që ka mbartur e shoqëruar municionin për në Gërdec, thotë se na bënte përshtypje kur shikonim njerëz dosido që punonin në çmontimin e predhave në Gërdec, madje disa fëmijë na kërkonin të hynim mik për t’i punësuar ata. Ua kemi thënë njerëzve atje atë përvojën tonë të hidhur me një ndezës që plagosi katër punonjës tanët, jo më të shpërthente gjithë ajo sasi e madhe municioni. Është kjo arsyeja që edhe në Gjegjan, banorët ndjehen të shqetësuar për municionin që kanë në krye të fshatit, ndaj, sipas zyrtarit të komunës Tonin Vorfi, do t’i drejtohen ministrisë dhe drejtuesve të lartë të shtetit që t’ua largojnë atë mall të padëshirueshëm që andej si një rrezik permanent, ndonëse kushtet e sigurisë me Gërdecin janë ku e ku.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›