E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tropojë, gjenden 50 predha mortaje 60 milimetër

Policia: Nuk kemi vend ku t’i vëmë predhat e gjetura. Municionet e Kukësit janë dërguar nga ministria në Gërdec
TROPOJË- Papërgjegjshmëri e banorëve të fshatrave Meidan e Shumicë të komunës Tropojë e Vjetër në rrethin e Tropojës. Një sasi prej 50 predhash mortaje të kalibrit 60 milimetër janë bllokuar dje paradite nga policia e Tropojës, në një përrua të fshatit Shumicë të komunës Tropojë e Vjetër e rrethit Tropojës. Burime të policisë kanë bërë të ditur se sasia e predhave kishte rreth 10 vite që gjendej buzë përroit dhe për vendndodhjen e tyre kishin dijeni shumica prej banorëve, por nuk kishin denoncuar ekzistencën e tyre. Janë dashur ngjarjet në fshatin Gërdec që banorët e kësaj zone të alarmoheshin për sasinë e municionit të paplasur. Një banor i zonës ka njoftuar policinë për vendndodhjen e municionit luftarak. Forca të policisë së Tropojës kanë shkuar në vendin e ngjarjes ku kanë bllokuar sasinë e municionit luftarak. Pas verifikimeve ka rezultuar se lloji i municionit ishte predha mortaje të kalibrit 60 milimetër. Kjo sasi predhash mund të jetë që në kohën e shpërthimit të depove në mars të vitit 1997, apo të peridhës së lufës së Kosovës në vitet 98-99. Policia e Tropojës ka hasur në vështirësi për magazinimin e këtyre predhave, pasi në rrethin e Tropojës nuk ka asnjë repart, apo depot e municioneve luftarake. Tropoja është e pastruar tërësisht nga të gjitha llojet e municioneve. E vetmja depo me material luftarak është në Dushaj dhe i përket dy kompanive private që merren me kërkimin e mineralit të kromit. Në këtë depo gjendet një sasi dinamiti që shërben për nevoja civile për këto kompani. Të gjitha municionet nga depot e Kalimashit në Kukës dhe ato të Dushajve në Tropojë janë transportuar për në depot e Gërdecit të Tiranës që në vitin 2006.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›