E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët përballë historisë

Pa përjashtim, thuajse të gjitha zgjedhjet politike në Ballkanin e pas viteve ’90 të shekullit të kaluar kanë patur dhe vazhdojnë të kenë rëndësi përtej të zakonshmes. Arsyeja qëndron tek procesi i transformimeve rrënjësore që po përjetojnë shoqëritë e gadishullit. E si për ta superkonfirmuar këtë tezë, në bankën e provës këtë radhë është vendosur Serbia, e cila ballafaqohet me një realitet të ri sa kompleks, aq edhe përcaktues. Ky vend po i drejtohet sërish zgjedhjeve të përgjithshme në betejën politike më të rëndësishme, që pas përfundimit të epokës së ish-Presidentit autokrat Sllobodan Milosheviç. Dy mbeten shkaqet thelbësore, që njëkohësisht janë edhe ato që e shkatërruan qeverinë që u ngrit me aq vështirësi vetëm 10 muaj më parë, të drejtuar nga kryeministri Vojisllav Koshtunica: qëndrimi ndaj shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe përcaktimi i ecurisë strategjike të vendit.
Tashmë serbët do të ballafaqohen me këto dy çështje dhe për më tepër do t’u duhet të mbajnë një qëndrim të qartë. Zgjidhja duhet të jetë e prerë, e qartë, e kthjellët dhe afatgjatë. Para tyre alternativat janë direkte. Kosova, tashmë është e pavarur dhe njëkohësisht e njohur ndërkombëtarisht, pra, pa kthim prapa. Serbët do votojnë nëse e pranojnë këtë realitet të ri, apo jo. Zgjedhje e vështirë, por e detyruar. Së dyti, zgjedhjet do të përcaktojnë nëse vendi do të drejtohet për nga modernizimi evropian, apo do të vetizolohet duke besuar ende tek aleanca me Rusinë. Asnjë nga politikanët serbë nuk do dëshironte të ishte pjesë e këtij rebusi, por historia rezervon sfida të tilla.
Ky realitet kontrastues i ka protagonistët e vet, që aktualisht janë blinduar në “llogore politike”. Liberalët të drejtuar nga Presidenti aktual, Boris Tadiç e kanë të qartë tezën dhe strategjinë: “Pavarësia e Kosovës, mund dhe duhet të kundërshtohet vetëm nëse Serbia anëtarësohet në BE. Serbia moderne dhe e anëtarësuar në strukturat perëndimore, do ta pengojë pavarësinë e Kosovës”. Po kaq të qartë e kanë edhe radikalët dhe nacionalistët: “Asnjë kompromis, dhe ndaj askujt, për Kosovën!”.
Pra zgjedhjet, më shumë se kurdoherë, do jenë konkurrim dysh. Demokratët do ballafaqohen me radikalët ultra-nacionalistë, që aktualisht përbëjnë edhe forcën kryesore në parlament. Beteja do të jetë e nxehtë dhe problematike. Vetë Presidenti u shpreh me shumë qartësi për thelbin e kësaj situate, kur nënvizoi se: “Tendenca për ta shndërruar fushatën në betejë mes patriotëve dhe tradhtarëve të çështjes së Kosovës është tejet e thjeshtëzuar dhe atyre do t’u kthehet në bumerang. Ajo nuk mund të mbrohet me thirrje patetike dhe nacionaliste, por duke u zhvilluar ekonomikisht dhe u afruar me BE. Vetëm nëse bashkëpunojmë me Brukselin, shteti i jashtëligjshëm i Kosovës nuk do të bëhet kurrë vend anëtar i BE- së”.
Përballë kësaj alternative, që etiketohet “nacionalizëm demokrat”, qëndron ajo nacionaliste radikalë. Sipas tyre, vetë fakti se disa nga shtetet më të fuqishme të globit dhe për rrjedhojë edhe anëtarët më me influencë të BE-së e kanë njohur këtë, është shkak që të mos ketë asnjë përafrim me BE- në. Me sloganin “Kosova mbi gjithçka“ ata i kanë bërë thirrje pakicës serbe që jeton në Kosovë t’i ndërpresin të gjitha lidhjet me shtetin e ri shqiptar, duke u përpjekur qysh në embrion që ta shkatërrojnë ekzistencën e saj. Falë nxitjes së tyre demonstratat në kufi, djegia e pikave doganore po vazhdon me angazhimin për ndarjen e Mitrovicës së Veriut. Zgjedhjet janë përcaktuese edhe për një tjetër fakt. Ato do të jenë jo vetëm politiko-parlamentare, por edhe lokale; pra, rezultati mbetet realisht përcaktues për të ardhmen e vendit. Populli do të votojë.
BE e ka pjesë të linjës së vet politike mosndërhyrjen në punët e brendshme, pasi vetëm sugjeron dhe orienton; por në këtë rast ka qenë shumë më i qartë dhe konkret. Për të gjithë hierarkët e Brukselit, por edhe mjaft Ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të BE, mesazhi është mjaft i qartë: “Asgjë nuk mund ta kthejë pas rrotën e historisë. Njohja e pavarësisë së Kosovës është proces krejtësisht i pandalshëm. Për Serbinë, zgjedhjet e 11 Majit shtrojnë një pyetje të vetme, që nuk ka fare të bëjë me Kosovën, por thjeshtë dhe vetëm me faktin se: “A dëshiron populli serb të jetë pjesë e Evropës?”.
Dallimet politike janë të thella, por zgjedhjet nuk do të zhvillohen aspak në një vakum. Vetëm pak muaj më parë, në janar, ky ishte edhe lajtmotivi i zgjedhjeve presidenciale të cilat Boris Tadiç i fitoi me diferencë të vogël. Por, realiteti tani është mjaft më kompleks duke e vështirësuar në ekstrem parashikimin për rezultatin përfundimtar. Zgjedhjet do tregojnë nëse serbët e kanë kurajon për të parë dhe ecur me guxim drejt së ardhmes evropiane, apo do të mbeten peng të së kaluarës nacionaliste. Sfida është e hapur, e vështirë për t’u fituar, por aspak e pamundur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›