E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-Berishës: Dorëhiqu dhe shko në Prokurori

 
Deputetët e PS-së bëjnë me përgjegjësi kryeministrin Berisha për tragjedinë e ndodhurTIRANË- Opozita ka “kryqëzuar” dje kryeministrin Sali Berisha si përgjegjësin kryesor të katastrofës jo natyrore të Gërdecit, ku humbën jetën më shumë se 20 njerëz dhe ku u shkatërruan me qindra shtëpi, prona e biznese. Deputetët e majtë, në një seancë të posaçme plenare që ka zgjatur deri në mesnatë, kanë akuzuar hapur kryeministrin Berisha si shkaktar të asaj ngjarje të rëndë të cilën ata nuk kanë nguruar ta cilësojnë dhe si një krim barbar. Në një seri fjalimesh të gjata deputetët e majtë duke e konsideruar ngjarjen pasojë të mosefiçencës qeverisëse dhe tregtisë së pandershme të armëve, kanë ripërsëritur pothuajse të gjithë kërkesën për dorëheqjen fillimisht dhe dorëzimin prej kryeministrit të imunitetit të deputetit, si e vetmja mënyrë për ti hapur rrugë zbardhjes së vërtetës nga ana e prokurorisë. “Ju duhet të shkoni të rrëfeheni përpara organeve të drejtësisë e jo në foltoren e Këshillit të Ministrave apo të këtij Kuvendi që duhet të heqë zyrtarisht imunitetin tuaj e të Ministrit të Mbrojtjes.Që e vërteta të zbardhet deri në fund, ne kërkojmë jo vetëm dorëheqjen por dhe hetimin tuaj zoti Kryeministër”,- u shpreh kryetarja e grupit kuvendor socialist, Valentina Leskaj në fjalën e vet. Ndërkohë që ish-ministri socialist i Mbrojtjes Pandeli Majko, në cilsinë edhe të një njohësi të mirë të fushës së ushtrisë, duke analizuar çështjen jo vetëm nga ana politike, por edhe nga ajo teknike ka theksuar se lejimi i demontimit të armëve dhe municioneve pranë një qendre urbane është në kundërshtim të plotë me të gjitha ligjet dhe manualet e hartuara mbi të cilat kryen veprimtarinë e vet Ministri a Mbrojtjes, dhe për këtë ka theksuar ai përgjegjësia bie mbi kryeministrin dhe Ministrin e Mbrojtjes. “Gërdeci nuk është repart ushtarak. Gërdeci nuk mund të trajtohej si një Repart Ushtarak dhe mbi të gjitha demontimi i Municioneve nuk është biznes zotëri”, - u shpreh Majko. Ndërkohë sipas deputetit tjetër socialistë, Namik Dokle shfajësimi i kryeministrit ndaj kësaj tragjedie është tallje me viktimat dhe pasurinë e shkatërruar nga vala e shpërthimit në Gërdec.“S’mund të pranojmë të thoni se qeveria ka pasur vetëm përgjegjësinë e transportit. Qeveria me vendimin i hapi rrugën tregtisë së vdekjes, sidomos me mënyrën se si është zbatuar ai vendim”, - tha Dokle. Gjithashtu të zgjedhurit e majtë nuk kanë nguruar të akuzojnë kryeministrin edhe për favorizim dhe pjesëmarrje të trafikut të paligjshëm të armëve. Deputeti Tauland Balla, duke iu referuar një shkrimi të pabotuar ende të një gazetari amerikan, është shprehur se kryeministri dhe familjarët e tij janë të implikuar direkt në tregtinë e armëve. “Gazetarit amerikan që ti përmende, badigardët e tu i thyen kamerat dhe kasetat, po shkrimi do botohet. Shkrimi thotë se kryeministri është i lidhur me një trafik armësh, qindra milionë dollarësh”, - u shpreh Balla. Një tjetër arsye sipas opozitës për të cilën kryeministri Berisha duhet të largohet është edhe fakti i keqmenaxhimit të situatës pas tragjedisë. Ndërkohë që kryeministri Berisha në replikë me deputetët opozitar, ka hedhur poshtë kërkesën e opozitës për dorëheqje, duke ftuar Kuvendin që të hetoj me anë të një komisioni parlamentar ngjarjen në fjalë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›