Dhëmblan, edhe pas dy vitesh shkaktohen viktima
Shpërthimi i predhave dy vite më parë ka shkatërruar krejtësisht zonën. Zona ka edhe 17 mijë tonë municione TEPELENË- Megjithëse kanë kaluar gati dy vjet, tragjedia më e fundit e ndodhur në Gërdec ka lëshuar sërish alarmin te banorët dhe drejtuesit e komunës Lopës në rrethin e Tepelenës, të cilët më katër maj të vitit 2006 nga shpërthimi i depove të armatimeve përballuan një situatë shumë të rëndë, por që fatmirësisht nuk pati pasoja shumë të mëdha. Rreth 17 mijë tonë municione, pjesa dërrmuese e të cilave predha të kalibrit të rëndë ndodhen ende në këtë zonë, duke e bërë atë mjaft të rrezikshme. Kryetari i komunës Lopës, Vait Sina e quan Dhëmblanin si fshatin më të militarizuar në Shqipëri dhe bën thirrje që kjo çështje të shihet me përparësi. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Shekulli”, ai sqaron të gjitha problemet e shkaktuara nga shpërthimet përgjatë gjithë kësaj kohe dhe rrezikun që mbartin tunelet e tejmbushura me municione. Vetëm dy javë më parë një bari i zonës ra sërish viktimë e predhave të ushtrisë dhe fatmirësisht ai vetëm u plagos. Gati tre vjet pas shpërthimit të gjashtë depove të municionit në fshatin Dhëmblan, a mund të quhet kjo zonë e pastruar dhe e parrezikshme?Është bërë një punë shumë e mirë nga ushtarakët të cilat deri para tre muajsh kanë punuar për pastrimin e zonës. Punë u ndërpre pasi u tha se zona tashmë ishte e pastër, por për shkak të terrenit mjaft të thyer dhe bimësisë nuk mund të pretendohet se është pastruar e gjitha dhe kjo është vërtetuar edhe nga incidentet e ndryshme. Nga ana e pushtetit vendor dhe e arsimit është ndërmarrë një fushatë e gjerë sensibilizuese kryesisht te fëmijët, që kullosin bagëtitë që të mos prekin asnjë send metalik që mund të gjejnë përtokë dhe të njoftojnë menjëherë organet kompetente për të shmangur çdo incident të mundshëm, pasi raste të kësaj natyre ka shumë. Më i fundit është shënuar rreth dy javë më parë, kur një banor i zonës gjeti një djegore dhe ndërsa e hodhi në përrua, shpërtheu dhe e plagosi. Raste plagosjeje ka pasur kryesisht në bagëti dhe nuk reshtin denoncimet pranë pushtetit vendor për këtë fenomen.Ndërkaq, në këtë zonë vazhdon të ketë ende depo me municione. A përbëjnë ato rrezik për jetën e banorëve?Mbi fshatin Dhëmblan, në një largësi rreth 500 metër në vijë ajrore nga qendra e banuar janë gjashtë tunele të nëndheshme në të cilat ndodhen rreth 15 mijë tonë municione, pjesa më e madhe e të cilave predha të kalibrave të mëdhenj deri në 160 dhe një pjesë e vogël fishekësh. Këta tunele ruhen nga nënoficerë të ushtrisë, por përgjatë 15 viteve të fundit ato thuajse nuk janë mirëmbajtur. Sipas informacioneve që unë kam një pjesë e tyre janë rrezuar në tokë nga koha dhe tërmetet duke përbërë në këtë mënyrë një rrezik potencial. Në rastin më të keq të shpërthimit të tyre, dëmet do të ishin shumë herë më të mëdha sesa ato në Gërdec. Ne si pushtet vendor kemi bërë disa herë kërkesë që këto municione të evakuohen apo të rehabilitohen, por deri në këto momente nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret. Gjithashtu në vendin ku shpërthyen depot janë akoma dy mijë tonë municione të grumbulluara që nuk janë hequr me pretendimin se nuk kanë poligone shpërthimi. Duke e marrë të mirëqenë këtë arsyetim si pushtet vendor i kemi ofruar Ministrisë së Mbrojtjes një territor brenda komunës, në një distancë rreth 20 km nga qendra e banuar për ta përdorur si poligon dhe jemi në pritje të përgjigjes. A vazhdojnë të ndihen pasoja e shpërthimeve të dy viteve më parë nga banorët?Absolutisht po. Fenomeni më shqetësues është ai i tharjes së burimeve të ujit, të cilat kanë qenë shekullore dhe ky përbën një shqetësim shumë të madh për komunitetin e pesë fshatrave të kësaj komune, ku jetojnë rreth 3200 banorë. I vetmi shpjegim është devijimi i ujërave si pasojë e shpërthimeve. Kemi hartuar tashmë projektin për furnizimin e zonës me ujësjellës me vetërrjedhje dhe jemi në pritje të konfirmimit. Bletaria, mjaft e përhapur në këtë zonë nuk ekziston pothuajse fare pasi bletët janë helmuar, ndërsa 4 baxho të përpunimit të qumështit kanë falimentuar, për shkak të ndotjes së mjedisit dhe ajrit. Në shumë shpejt do t’i parashtrojmë qeverisë dy kërkesa: e para që ka të bëjë me evakuimin e të gjithë zonës dhe në bashkëpunim me ne të gjendet një ambient më i përshtatshëm, pasi mjedisi është totalisht i pabanueshëm dhe mund të ketë probleme shumë të mëdha. Dhe e dyta, nëse kërkesa e parë nuk do të plotësohet përmirësimi i infrastrukturës dhe investimet për ngritjen e ndërmarrjeve të ndryshme, në mënyrë që banorët të kenë me se të jetojnë.Intervistoi Entela BaniDy vjet më pas në Dhëmblan nuk ka mundur të mbijetojnë as kafshët e as insektet. U zhdukën burimet ujoreShpërthimi zhduku çdo gjë të gjallëRasti i Dhëmblanit të Tepelenës duhet të kishte qenë paralajmërimi më i madh për qeverinë shqiptare që të ndalonte proceset e demolimit të predhave të vjetra të ushtrisë. Ose të paktën qeveria duhet të kishte kuptuar nga ajo tragjedi se në këtë proces nuk duhet të përdoreshin banorët e zonës, e aq më tepër fëmijët e mitur. Por kjo nuk ndodhi dhe pasojat dihen nga të gjithë...Duke harruar gjithçka kryeministri Berisha vazhdon që të tregohet bujar e vendos t’iu japë dëmshpërblime banorëve të Gërdecit. Ai do ti japë secilit para në dorë me shpresën që të blejë dhimbjen e tyre, me shpresë që në këtë mënyrë ata të harrojnë atë që ndodhi. Por a është e mundur kjo gjë? Eksperienca tregon krejtësisht të kundërtën. Dy vite më parë Dhëmblani u hodh në erë dhe pasojat ishin katastrofike. Banorët e zonës merreshin me rritjen e bletëve por tashmë ky biznes nuk ekziston më. Bletët janë zhdukur. Ato nuk arritën që t’i mbijetonin mjedisit krejtësisht të ndotur dhe ajrit të rrezikshëm. Në maj 2006 në Dhëmblan ndodheshin të paktën katër baxho dhe rriteshin bagëti të ndryshme. Sot baxhot kanë falimentuar për shkak të ndotjes ndërsa bagëtia nuk mundi të mbijetojë. Asgjë e gjallë, përveç banorëve të zonës, nuk mundi t’i mbijetojë shpërthimit dhe ndotjes që erdhi pas tij. Por ndryshime kanë pësuar edhe shtresat tektonike të zonës. Ujërat nëntokësore që përbënin edhe burimin kryesor në këtë zonë janë zhdukur. Specialistët i kanë shpjeguar banorëve se kjo ka ndodhur për shkak të devijimit të tyre. Pra burimet ujore janë bllokuar nga shpërthimi dhe për pasojë ato kanë devijuar. Këto janë disa nga pasojat që duhet të ketë parasysh kryeministri kur premton se do të jetë në gjendje të rikthejë qetësinë në atë që ai e quan me krenari “Zonë fatkeqësie”. Të njëjtën gjë duhet të ketë parasysh edhe Instituti i Shëndetit Publik, i cili mbështet kryeministrin në këto deklarata të pashpresa. Aty nuk mund të ketë më jetë.PRECEDENTËT
Gramsh 2 korrik 2007
Predhat çmontohen në shtëpi nga fshatarët
Një 17- vjeçar nga fshati Shën Mëri i Gramshit ka gjetur vdekjen teksa po çmontonte një predhë tokë- tokë. Një gabim i vogël dhe mbushja e predhës ka shpërthyer duke lënë të vdekur në vend 17- vjeçarin. Hysen Brahimi së bashku me babanë dhe një fqinjin e tyre kishin kohë që ushtronin këtë "profesion" duke zbërthyer predha e duke i shitur më pas për skrap. Babai i tij, Mylazim Brahimi, dhe fqinji i tyre Ledio Nasufi, për fat të mirë kanë shpëtuar vetëm me dëmtime të shumta në trup por pa rrezik për jetën. Çmontimi i predhave të vjetra të ushtrisë është kthyer në biznes në fshatin Shën Mëri të Gramshit. Dhjetëra fshatarë kanë kohë që të vetmen mënyrë jetese kanë zbrazjen e predhave të luftës dhe shitjen e pjesëve të tyre për skrap. Ata shkojnë çdo ditë në vendin e quajtur Përroi i Brahimasit, ku ndodhet një poligon i miratuar nga Ministria e Mbrojtjes. Atje bëhen shpërthime të municioneve të mbetura nga ushtria. Veç mbetjeve të municioneve ka edhe predha të paplasura me mbushje por pa djegore. Të gjitha familjet e fshatit marrin pjesë e mbetje predhash por edhe ato janë ende të mbushura me barut e tritol i hapin dhe i boshatisin. Janë vetë fshatarët ata që i kthejnë këto predha në të padëmshme e më pas pjesët e hekurta i transportojnë e i shesin për skrap.
Dhëmblan 4 maj 2006
Tragjedia që shkatërroi një fshat të tërë
Më katër maj të vitit 2007 një tjetër shpërthim i predhave të vjetra të ushtrisë ka tronditur jugun e Shqipërisë. Depoja më e madhe e armatimeve të ushtrisë, e vendosur në fshatin Dhemblan të Tepelenës ka shpërthyer duke shkaktuar vdekjen e dy personave. Edhe në këtë rast ushtarakë dhe banorë të fshatit po punonin në çmontimin e predhave të vjetra. Gabimi i njërit prej ushtarakëve ka shkaktuar një katastrofë të vërtetë. Fillimisht ushtarakët dhe banorët e zonës kanë çmontuar pjesët përbërëse të predhave dhe më kryesisht u kanë hequr atyre fundin dhe kanë ndarë veç barutin e tritolin dhe veç predhën. Në këtë mënyrë ushtarakët kanë mbledhur një makinë ushtrie me barut si dhe kanë ndarë veç rreth gjashtë tonë me tritol. Shpërthimi i predhës arriti deri tek kamioni me barut, i cili ka marrë flakë menjëherë duke shpërthyer në të gjithë zonën përreth. Pas barutit ka shpërthyer edhe sasia e tritolit duke bërë që për 18 orë me radhë të gjitha predhat që ndodheshin aty pranë të hidheshin në erë. Predhat kanë fluturuar deri në gjashtë kilometra larg e më pas kanë rënë si gurë në shtëpitë e banorëve. Për fat të mirë nuk pati viktima. Rreziku më i madh në këtë rast ishin gjashtë depo me predha, të cilat ndodheshin në mal, shumë pranë vendit të ngjarjes. Në rast se zjarri do të kishte arritur tek këto tunele atëherë e gjithë zona do të ishte rrafshuar.