E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marshimi i fitores ne Egjipt

Egjiptianët zbresin edhe një herë në sheshin “Tahrir”. Kesaj here për të organizuar ditën e fitores. “Marshimi i fitores" feston rrëzimin e presidentit Hosni Mubarak pas 18 ditë protestash popullore. Përmes marshimit do të përkujtohen 365 viktimat e kryengritjes popullore, thuhet në platformën e internetit Facebook.

Jeta në Egjipt nuk i është kthyer ende normalitetit edhe një javë pas përfundimit të protestave. Tanket shihen ende në rrugë, bankat janë të mbyllura, një pjesë e punëtorëve janë ende në grevë dhe vazhdon ndërprerja e mësimit.

Këshilli Suprem ushtarak, që ka marrë drejtimin e vendit, është nën presion për lirimin e të burgosurve politikë, heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ndërsa  mbetet ende e hapur cështja e të zhdukurve.

Të zhdukurit në Egjipt hedhin dyshime dhe mbi premtimet e ushtrisë për ndryshim. Ndërsa egjiptianët ngritën lart ushtrinë për premtimin e  monitorimit të tranzicionit drejt demokracisë, grupet për të drejtat e njëriut e akuzojnë për përfshirje në zhdukjen e individëve dhe torturë.

Ndërkohë janë arrestuar tre ministra të Mubarakut. Ata akuzohen për përvetësim të fondeve publike dhe pastrim parash. Të arrestuar janë ish- ministrat për Ndërtim dhe Turizëm, Ahmed Maghrabi dhe Suehir Garana, si dhe ish- ministri i Brendshëm Habib el Adli. Përveç kësaj manjati i çelikut dhe i besuari i Mubarakut, Ahmed Ess, u arrestua si i dyshuar për korrupsion.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›