E Diel, 1 Nëntor 2026

“Marubi”, reagon SHBA: “Po ndjekim me vëmendje situatën”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Ambasada amerikane reagon pas përlasjes mes policisë dhe drejtuesve të Akademisë së Filmit “Marubi”. Nga zyra e shtypit të kësaj ambasade shprehen se situata po ndiqet me kujdes. Përfaqësia diplomatike amerikane në Tiranë ka premtuar se do të nxitë palët të negociojnë dhe njëkohësisht të ruajnë qetësinë. Ndërkohë po dje ka patur një tjetër përlasje mes policisë dhe rektorit të “Marubit”, Kujtim Çashku e studentëve të tij. Për rreth 6 orë Çashku ka përfunduar në komisariatin nr.4 së bashku me djalin e tij dhe 5 studentë. Pas marrjes në pyetje 6 të ndaluarit janë lënë të lirë. Rektori i “Marubit” ka theksuar se do të vazhdojë të ndjekë çështjen në rrugë ligjore.
Reagimi
Rektori i Akademisë së Filmit “Marubi” është liruar nga policia dhe bashkë me të dhe 5 studentët. Çashku la komisariatin rreth orës 13:40 minuta pas 6 orësh në ambientet e tij. Pas daljes nga Komisariati nr. 4 ai ka theksuar se do të vazhdojë të ndjekë çështjen në rrugë ligjore. Rektori i Akademisë së Filmit i ka bërë thirrje disa herë policisë që të mos dëmtohet Akademia që kanë krijuar artistët për zhvillimin e artit shqiptar. “U bëj thirrje autoriteteve të mos dëmtojnë një institucion të shenjtë. Pango e Ruli të përmbahen dhe të mos bëjnë deklarata që acarojnë akoma më shumë situatën. Kërkoj të jemi krenarë për këtë shkollë që kanë krijuar artistët”, - ka pohuar ai. Ndërkohë gjatë momenteve të qëndruara në komisiariat ai ka bërë të ditur se është ushtruar dhunë jo ndaj tij por ndaj 5 studentëve të ndaluar.
Ndalimi
Policia shoqëroi dje në Komisariatin nr. 4 në kryeqytet rektorin e Akademisë së Filmit “Marubi”, zotin Kujtim Cashku, djalin e tij si dhe 5 studentë të tjerë. Shoqërimet në polici u bënë pas protestave që vazhduan dhe dje në ambientet e Akademisë së filmit kundër vendimit të Këshillit të Ministrave për lirimin e ambienteve të Akademisë private. Studentët nuk pranuan të lëshojnë ambientet dhe policia vendosi shoqërimin e disa personave në polici për të shpërndarë më pas protestën. Drejtori i kompanisë shtetërore “Alba Film”, duke u bazuar në shkresat zyrtare të katër viteve të fundit akuzon Akademinë “Marubi” për zaptim prone në shkelje të ligjit. “Alba Film” pretendon se “Kujtim Çashku, si drejtues i “Ora Film. shpk”, nuk u mjaftua vetëm me këtë sipërfaqe të dhënë nga VKM-ja, por në mënyrë të paligjshme pushtoi të gjithë territorin e “Alba Film” Policia ka disa ditë që nuk lejon vazhdimin e mësimit në ambientet e Akademisë, ndërsa nxënësit që paguajnë për profile të ndryshme në këtë Akademi po protestojnë çdo ditë për këtë vendim të qeverisë. Rektori Kujtim Çashku, akuzon qeverinë dhe ministrin e Kulturës për presion të qëllimshëm. Çashku pohon se po mblidhen firmat nga personalitetet shqiptare por edhe të huaja të artit për ti dërguar peticion Presidentit Topi dhe kryeministrit Berisha për situatën e krijuar. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave Akademia e filmit “Marubi”, duhet që të lironte ambientet mesditën e së shtunës, kundërshtimi i petagogëve dhe studentëve ka çuar këto ditë në konfrontimin mes tyre dhe forcave të policisë, të cilat kanë ndërhyrë për ti larguar ata nga ambientet e Kinostudios.
Reagimi
Ndërkohë kundër kësaj situate kanë reaguar dhe ish-pronarët. Familja Hysa e cila deklaron se është pronarja e ligjshme e kësaj hapësire i bën thirrje ministrit Pango të zjgidhë problemin. “Kemi ardhur këtu për të protestuar fuqimisht për pronën tonë. 165 mijë metër katrorë është toka jonë e njohur nga Gjykata e Lartë. I themi zotit Pango se nuk është tokë pa pronar po me pronarë të ligjshëm. Prona e familjes Hysa po dhunohet në mënyrën më të paturpshme. Kryeminsitri të verë dorë dhe hakun ta çojë te i zoti. Ministri Pango nuk mund të jap tokën tonë për Tv Klan apo televizione të tjera”, - tha njëri prej përfaqësuesve të kësaj familje.

Dobjani: Mbështesim Akademinë “Marubi”

Avokati i Popullit, Emir Dobjani është shprehur në mbështetje të Akademisë së Filmit Marubi . “Pasi jam njoftuar ditën e shtunë nga Çashku kam dërguar tre ekspertë në akademi dhe mësova se situta ishte e tensionuar sepse kishte pasur konrontim fizik mes drejtuesve dhe policisë”, tha dje Dobjani. Avokati i Popullit deklaroi se beson deklaratën e rektorit Kujtim Çashku sipas të cilit në ditën e parë të konfrontimit mes policisë dhe drejtuesve të akademisë, ndaj tij është përdorur dhunë dhe ai ka marrë edhe mjekime. “Mund të them se besoj fjalën e Kujtim Çashkut se ndaj tij është përdorur dhunë”,- theksoi Dobjani. Avokati i Popullit bëri me dije se në ndjekje të kësaj çështje ka kontaktuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe i ka kërkuar që deri ditën e hënë mos bëhet asnjë veprim në këtë Akademi. “Ka mangësi në gentplanin e ndërtesës së Akademisë, ndaj u sugjerua të mos ndërhynte Policia e Shtetit. Është e domosdoshme që kjo çështje të mos zgjidhet nga forcat e policisë por të trajtohet në Gjykatë si një konflikt mes dy subjeketeve civile”, - tha ai. Avokati deklaroi se rekomadimin e tij ia ka dërguar organeve të policisë, por pavarësisht tratativave nga institucioni i Avokatit të Popullit, përsëri konflikti bëri që Çashku e disa stundentë të mbaheshin në komisariat. Emir Dobjani nënvizoi se aktiviteti që ka Akademia “Marubi” ka të drejtë që të shfrytëzojë më shumë hapësirë nga sa ka marrë në fillim. Sipas Avokatit ka një shkelje tjetër nga policia dhe Alba Filmi. “Ka një shkelje të lirisë akademike sepse në bazë të ligjit nuk lejohet hyrja e policisë brenda në Akademi pa një leje të rektorit të universitetit”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 25/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›