Martesa e Tom Cruise sjell “divorcin” e Bekam me Realin

Thellohet edhe më shumë kriza mes futbollistit, Dejvid Bekam e Realit të Madridit dhe ndizet drita jeshile për një rikthim të anglezit në Premier League. Arsyeja e kësaj carje ka qenë refuzimi që tekniku italian i ka bërë Bekam për të marrë pjesë në dasmën e mikut të tij të ngushtë dhe yllit hollivudian Tom Cruise me Katie Holmes në Romë. Tabliodi anglez "The Sun" ka zbuluar se ish-kapiteni i Anglisë kishte vendosur pjesëmarrjen së bashku me gruan e tij Viktoria në ceremoninë e martesës së Cruise, meqënëse ishte i dëmtuar. Por papritur urdhërohet nga trajneri i galaktikëve, Kapelo të qëndrojë në Madrid dhe të vazhdojë stërvitjen me grupin edhe pse nuk do të ishte i disponueshëm për ndeshjen me Racing Santander, gjë të cilën anglezi e ka refuzuar dhe është nisur në drejtim të kryeqytetit italian. Madje është parë duke bërë edhe fotografi pasi ka zbritur në aeroportin Campino të Romës. "Dejvid është dëmtuar. Ai duhet të qëndrojë në Madrid dhe të stërvitet", ka deklaruar Kapelo. Kur u pyet që Bekam duhet të ishte me patjetër i pranishëm në Romë pasi do të humbiste martesën e vitit, Kapelo u kundërpërgjigj: "Nuk është problemi im". Pas kësaj zënke Bekam mendohet të ketë thënë se këtë muaj ka qenë shumë i shqetësuar në Bernabeu nën urdhrat e Fabio Kapelos dhe nuk përjashtohet mundësia për t'i thënë lamtumirë spanjollëve së afërmi. Për kartonin e "Spice Boy" janë interesuar shumë skuadra të Evropës dhe Amerikës si Blekburn, Bolton, Carlton, Njukasëll, Uest Hem, Sëlltik, Inter, Milan, LA Galaxy dhe New York Red Bulls. Në faqen e parë "The Sun" shkruante: "Adios", shoqëruar dhe me foton e tij.
Gert Serani