E Diel, 1 Nëntor 2026

Politikani francez Freshe kundër kombëtares me ngjyrë

Deklarata e politikanit socialist francez, Xhorxh Freshe se kombëtarja franceze ka më shumë se c'duhet futbollistë me ngjyrë ka tronditur mbarë opinionin vendas. Freshe nga krahina jugore e Francës, Languedoc-Roussillon ka thënë për gazetën "Midi Libre" se ndihet shumë i fyer që kombëtarja e Francës nga 11 lojtarë, nëntë i ka me ngjyrë. "Do të ishte e pranueshme nëse do të kishte 3 apo 4 futbollistë me ngjyrë, duke vlerësuar edhe shoqërinë franceze. Por nëse ka më shumë, kjo do të thotë që lojtarët e bardhë nuk janë cilësorë. Ndihem vërtet i fyer nga ky shtet. Mendoj se së shpejti në formacion do të ketë 11 me ngjyrë", mendohet të ketë thënë Freshe. Ndërkohë i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i presidentit francez, Zhak Shirak, i cili i ka dënuar ashpër komentet e bëra nga socialisti. "Republika jonë garanton barazi të shtetasve të saj, pa dallim feje apo origjine", ka thënë Shirak. Kryetari i partisë socialiste të Parisit, Bertrand Delanoe ka kërkuar përjashtimin e Freshe nga partia.

Gert Serani

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›