Adriatik, dezinfektohet plazhi
Fundjava do të mirëpresë pushuesit e saj në bregdetin e Adriatikut me një plazh të pastër e të dezinfektuar. Ndërmarrja Komunale e Plazhit vazhdon punën për të mundësuar një sezon turistik sa më të mirë për të siguruar kushtet e duhura në thithjen e sa më shumë turistëve të huaj dhe vendas. Aktualisht po punohet për plugimin dhe dezinfektimin e plazhit në 17 hektarë. Pas pastrimit të plotë të bregdetit nga leshterikët, ka nisur dje plugimi dhe dezinfektimi i rërës. Duke inspektuar këtë proces, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, deklaroi se këtë vit, kërkesa e vazhdueshme e pushuesve për më shumë plazhe publike, është bërë realitet. është shtuar edhe një plazh publik më shumë, duke e çuar në katër numrin e plazheve publike që do të presin pushuesit pa asnjë detyrim financiar. “Turizmi është një nga prioritetet e bashkisë dhe po punojmë me intensitet për krijimin e kushteve sa më të mira për të gjithë turistët vendas dhe të huaj që do të vizitojnë Durrësin gjatë këtij sezoni turistik. Plazhi i Durrësit, edhe për këtë vit, pritet të ketë një numër rekord pushtuesish”, tha Dako. Durrësi është një nga zonat më të rëndësishme të vendit për turizmin masiv dhe atë elitar. Përveç turizmit të banjave diellore, Durrësi ofron turizmin kulturor, për shkak të trashëgimisë së pasur historike dhe kulturore. Krahas objekteve të shumta arkeologjike, qyteti përbën një ansambël të rëndësishëm historik dhe kulturor të Shqipërisë, ndaj edhe vëmendja e pushtetit vendor është përqendruar në zhvillimin e turizmit për të krijuar të gjitha kushtet për akomodimin e turistëve dhe ofrimin e një sezoni të larmishëm edhe në aktivitete artistike.
#