E Shtunë, 31 Tetor 2026

Martin Dampsey pasardhës i Mike Mullenit

Nga Express më 01 tetor 2011 në ora 13:04

Admirali amerikan, Mike Mullen, i cili doli në pension nga posti i Shefit të Shtatmadhorisë së ushtrisë amerikane, tha se Pakistanin është një vend me rëndësi strategjike për zgjidhjen e konfliktit në Afganistan.

Mullen foli në një ceremoni pranë Washingtonit, ku pasardhësi i tij, gjenerali Martin Dampsey, u betua në postin më të lartë ushtarak.

Mullen i bëri thirrje gjeneral Dampseyt të bëjë një punë më të mirë në marrëdhëniet me Pakistanin.

Ai tha se nuk ka zgjidhje për problemet në rajon pa pjesëmarrjen e Pakistanit dhe e ardhmja e rajonit nuk mund të jetë e qëndrueshme, pa partneritetin me Pakistanin.

Mullen tha se kalimi i kompetencave të sigurisë në Afganistan do të jetë sfida më e madhe për gjeneral Dampsey në vitin që vjen.

Trupat amerikane do t’ua kalojnë përgjegjësitë e sigurimit forcave afgane deri në vitin 2014.

Në ceremoninë e organizuar, presidenti Barack Obama e cilësoi gjeneralin Dampsey si një prej oficerëve ushtarakë më të sprovuar në beteja.

Ai gëzon emër si një komandant i respektuar dhe i efektshëm, intelektual dhe strateg. Por gjenerali përballet me disa sfida të vështira në postin e ri.

Ai merr postin e ushtarakut më të lartë amerikan, në një kohë kur buxheti i Departamentit të Mbrojtjes përballet me shkurtime prej 450 miliard dollarësh apo më shumë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›