Vazhdojnë mosmarrëveshjet monetare SHBA – Kinë
Një mosmarrëveshje e përsëritur po vihet re midis Pekinit dhe Washingtonit mbi kushtet favorizuese që Kina gëzon në tregun botëror, për shkak të kontrollit të rreptë qeveritar dhe vlerësimit që ajo i bën monedhës së saj, juanit.
Në Washington, Senati amerikan po kërcënon të miratojë sanksione tregtare kundër Kinës për këtë çështje.
Me vendosjen e një kursi këmbimi për juanin më të ulët se vlera e tij në treg, Pekini mban eksportet më të lira për konsumatorët e huaj, duke i dhënë kështu prodhuesve kinezë një avantazh të rëndësishëm në konkurrencën e tregut botëror.
Instituti i Politikave Ekonomike në Shtetet e Bashkuara njoftoi javën e shkuar se që nga viti 2001, kontrolli i kursit valutor nga ana Kinës ka ndikuar në humbjen e rreth 3 milionë vendeve pune në Shtetet e Bashkuara.
Arthur Kroeber, drejtor i administrimit të firmës GK Dragonomics, thotë se Kina e sheh nënvlerësimin e monedhës dhe bilancin tregtar pozitiv si një të drejtë të saj dhe si një pjesë themelore të zhvillimit ekonomik kombëtar.