Martin Jorgensen: “Unë, shënues goli ndaj shqiptarëve”Në 4 nga 5 ndeshje ku Danimarka i ka shënuar gol skuadrës sonë përfaqësuese, njëri nga ata që e ka dërguar topin në rrjetë ka luajtur në karrierë për AGF Arhus. Ekipi i sotëm ka 3 të tillë:

Bledar KUKA- Lojtari i krahut i Danimarkës, Martin Jorgensen, mendon se tradita i jep të drejtë të mendojë se do të shënojë ndaj Shqipërisë. Në një intervistë për një televizion vendas, lojtari i Fiorentinës nënvizon diçka krejt të veçantë, që askush nuk e kishte pikasur deri tani: Thuajse në çdo ndeshje mes dy ekipeve përfaqësuese, një gol për danezët e ka shënuar një lojtar i klubit AGF Arhus
.
Më 29 qershor 1963 (Euro 1964) në Kopenhagen, në portën e Shqipërisë shënoi edhe Hening Enoksen, që ka luajtur për AGF Arhusin. Golat e tjerë u shënuan nga Petersen, i famshmi Madsen dhe Klauzen.
Vetë Jorgensen ka shënuar më 9 tetor 2004, kur Shqipëria u ndesh në Tiranë ndaj danezëve për eliminatoret e Botërorit 2006 (0-2 për danezët). Goli i dytë u shënua nga sulmuesi Jon Dal Tomason. Po ashtu, Jorgenseni shënoi edhe më 8 qershor të 2005-ës në “Parken” të Kopenhagenit, mbrëmje kur shënoi dy herë Sëren Larseni si dhe Erion Bogdani (1-3).
Më 2 qershor 1963, shqiptarët humbën 0-4 në “Parken” përballë kampionëve në fuqi të Europës dhe dy gola i shënoi sulmuesi Frank Pingel (22’, 41’), lojtar që ka luajtur deri më 1988 në AGF Arhus. Dy golat e tjerë i shënuan i njohuri Xhon “Fakse” Jensen në 12’ (ish-yll i Arsenalit) dhe sulmuesi tjetër, Peter Mëler, në 41’. Për dreq, sërish lojtari i AGF Arhusit, Frank Pingeli, shënoi edhe në “Qemal Stafa” më 8 shtator 1993, po për eliminatoret e Botërorit 1994. Pingeli realizoi në 63’.
Si përfundim, në 4 nga 5 ndeshje që danezët kanë shënuar ndaj shqiptarëve, topin në rrjetë e kanë dërguar lojtarë ose ish-lojtarë të AGF Arhusit. Në ekipin e sotëm danez luajnë edhe lojtarë të tjerë të Arhusit (përveç Jorgensenit), si mesfushori Leon Andreasen dhe mesfushori tjetër, Jakob Poulsen, që është lojtar aktual i Arhusit
Martin Jorgensen ka luajtur për AGF Arhusin në vitet 1989-1997, pra aty është formuar si lojtar, ndërsa më pas veshi bluzën e Udinezes dhe tani të Fiorentinës. Me 86 gola dhe 12 ndeshje, ai është ndër lojtarët më të suksesshëm të skuadrës daneze të të gjitha kohëve.
Bilanci me Danimarkën:
29.06.63: Danimarkë-Shqipëri 4-0
30.10.63: Shqipëri-Danimarkë 1-0
02.06.93: Danimarkë-Shjipëri 4-0
08.09.93: Shqipëri-Danimarkë 0-1
09.10.04: Shqipëri-Danimarkë 0-2
08.06.05: Danimarkë-Shqipëri 3-1
Gjithsej: 6 ndeshje, 1 fitore, 0 barazime, 5 humbje, golat: 2-14.
E Marte, 31 Mars 2009