E Diel, 1 Nëntor 2026

Salihi nuk ia fal vetes: “Duhet të shënoja gol”Sulmuesi: Rastet i kisha, por kur s’do të hyjë në rrjetë nuk do. Shpresoj të zhbllokohem ndaj Danimarkës

Për hir të tij, trajneri i kombëtares, Ari Han ka hequr dorë nga Erjon Bogdani. E ka parë në një ndeshje të kampionatit austriak, vetëm disa javë më parë dhe ashtu, i mahnitur prej cilësive të tij ka vendosur të bëjë pa Bogun, të paktën në dy ndeshjet e rradhës për eleminatot e kampionatit botëror Afrikë e Jugut 2010. Një zgjedhje që ka rrudhur shumë buzë, ka habitur shumë personazhe të futbollit dhe ka bërë të vetdijshëm vetë të interesuarin, Hamdi Salihin se ky do të ishte shansi i jetës së tij në kombëtare.

Më pak se 24 orë pas ndeshjes së parë, gjatë udhëtimit të gjatë të ekipit kombëtar drejt Kopenhagenit, shkodrani kuqezi ishte njëri prej më të heshturve. Shakatë nuk mungojnë, me miqtë e tij të shumtë në kombëtare dhe sidomos me “klanin” shkodran, apo atë “bardheblu”, skuadra me të cilat ka luajtur në Shqipëri, por pa kaluar në “gallatë”, e natyrshme kjo për të vrarë orët e gjata të tranzitit. Goli i munguar kundër Hungarisë peshon dhe shumë madje.

“Do të më kishte liruar. Gjërat do të vazhdonin normalisht më pas për mua në kombëtare”, thotë Salihi. Në fakt, ka bërë gjithçka për të shënuar, ka luajtur me një grintë të jashtëzakonshme, por ndonjëherë, siç thotë edhe vetë, “kur nuk do të hyjë në rrjetë, nuk do të hyjë”.

Dhe menjëherë shton: “Kisha disa mundësi të mira për të shënuar. Nja dy tre raste, ndër të cilat normalisht një prej tyre duhet ta kisha konkretizuar, por nuk qe e thënë. Problemi është se në përfaqësuese nuk ke mundësi të korrigjohesh shpejt. Në klub ke një ndeshje sot dhe nëse nuk arrin të shënosh mund ta bësh këtë javën e ardhshme.

"Nuk e ndjen presionin sepse e di që fati i keq nuk mund të vazhdojë përherë. Ndërsa, në përfaqësuese është e kundërta. Luhet shumë rallë dhe duhet të kapësh të gjitha shanset që ke”. Futbollisti, i cili po kalon një moment të shkëlqyer në kampionatin austriak, pranon se ka filluar ta ndjejë pak presionin e golit të munguar në kombëtare. Ai thotë se të shënojë një të tillë në ndeshje zyrtare do ta zhbllokonte përfundimisht nga ky ngërç.

Skema- Por ai nuk pranoi të akuzonte skemën e trajnerit Han për mungesën e golit të tij por edhe të skuadrës në katër ndeshjet e fundit eleminatore. “Unë rastet i kisha. Është e vërtetë që do të më pëlqente të luaja i mbështetur nga një sulmues tjetër, por realiteti është që na mungoi thjesht akti i fundit, goli”. Gjithësesi, Salihi pranon se rruga që u kërkua për të gjetur golin ndoshta nuk ishte më e mira e mundshme. “U futën shumë topa të lartë në zonë, por ajo ishte pika e tyre e fortë. Mendoj se duke luajtur me topa të ulët do ta kishim vënë më shumë në vështirësi kundërshtarin”, thotë Salihi.

Danimarka - Salihi është i vetëdijshëm se shansi ideal për të gjetur rrjetën e parë në ndeshje zyrtare me Shqipërinë (ka shënuar kundër Maltës një gol në miqësore) në dy ndeshjet e radhës u konsumua kundër Hungarisë. Por ai ka gjithashtu shumë kohë në futboll dhe shumë shembuj për të mos e ditur se pikërisht atëherë kur nuk e pret, fati mund të të buzëqeshë. Pranon se do të ishte një ëndërr të shënonte kundër Danimarkës një gol me vlerë pikësh. “Nuk jam egoist. Do të doja të shënoja vetë por më shumë ka rëndësi kombëtarja. Dëshira ime është që të bëjmë të lumtur gjithë ata tifozë kuqezi që u zhgënjyen nga ne të shtunën. Me Danimarkën është ekstremisht e vështirë, por Suedia dhe Portugalia na mësojnë se në futboll asgjë nuk duhet ta marrësh për të garantuar”, përfundon Lojtari.

Burimi: Gazeta "Sport Ekspres"

E Marte, 31 Mars 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›