Martino: Më sollën te Barça Messi dhe babai i tij

Gerardo Martino foli për herë të parë si blaugrana. Trajneri i ri i Barcelonës, dha konferencën e parë për shtyp si teknik i katalanasve duke krijuar përshtypjen se e ka shumë të qartë se cfarë duhet të arrijë me kampionët e Spanjës.
"Barcelona ka një stil të përcaktuar, të konsoliduar ndër vite dhe jam unë ai që duhet të përshtatem. Objektivi ynë i përbashkët është të fitojmë çdo kompeticion në të cilin marrim pjesë. Për mua kjo zgjedhje ishte paksa e papritur, pasi kisha nisur pushimet por nuk mund të refuzosh një klub si Barcelona. Unë do të jap maksimumin tim dhe besoj se dhe skuadra do t’i bëjë gjërat mirë", tha tekniku argjentinas.
Në Spanjë ka jo pak zëra, se në zgjedhjen e Martinos ka ndikuar dhe ndërhyrja e Messit, babai i të cilit, e ka pasur idhull Martinon dhe trajneri i ri i blaugranave e pranon këtë fakt: "Nuk e di se cfarë ka biseduar Messi me drejtuesit e klubit, por është e sigurtë se Jorge dhe Leo kanë ndikuar në këtë vendim".
Ekuacioni më i rëndësishëm që Martino duhet të zgjidhë ka të bëjë me Mesin dhe Neymar, trajneri ri duhet të bëjë që këta dy yje të funksionojnë sëbashku në fushë.
"Nuk besoj se do të jetë një problem, Messi dhe Neymar janë të dy futbollistë të mëdhenj dhe besoj se do të funksionojnë mirë bashkë. Lojtarët e mirë dinë si të gjejnë njëri-tjetrin", u shpreh Martino. /indeksonline/