E Shtunë, 31 Tetor 2026

Martohet më 2011

Aktori Blerim Destani do të jetë në dy projekte të rëndësishme filmike këtë vit, përderisa thotë se gjatë vitit 2011 e ka në plan të martohet. Nga Ardian Jasiqi më 18 janar 2011 në ora 15:22

Blerim Destani sivjet e ka në plan të martohet. Aktori nga Tetova këtë e ka thënë publikisht gjatë një bisede të shkurtër që e ka pasur me Rozë, pas mbajtjes së “Miss Kosova Universe 2011” në Prishtinë.

Ai tha se ndoshta si prioritet të sivjetmë e ka pikërisht martesën.

“E kam në plan që të martohem në këtë vit”, ka thënë Destani në këtë bisedë për Rozë.
Por, i pyetur se kush është vajza më të cilën ai do të martohet, Destani ka refuzuar të përgjigjet, duke thënë se për momentin nuk dëshiron të japë emra.

“Nuk dua që të përgjigjem në këtë pyetje për momentin. Është sekret apo ndoshta jam në kërkim të dashurisë”, ka thënë ai.

Aktori kohëve të fundit është parë në një projekt filmik “Dossier K”, film ky që është përcjellë shumë në Evropë, por jo edhe në Kosovë, edhe pse është dhënë premierë në kinemanë ABC. Ndërkaq, Destani ka pasur paraqitje të shumta edhe në disa filma të tjerë shqiptarë si në “Koha e kometës”, “Etjet e Kosovës”, “Metropolet”, etj.

Por, ka kohë që ai nuk ka qenë i angazhuar nëpër projekte të shqiptarëve. Megjithatë, thotë se me filmin “Koha e Kometës” ka marrë pjesë në shumë festivale.

“Pra, pas këtij projekti, tek ‘Kometa’, nuk kam luajtur në shumë projekte shqiptare, por ende nuk kam diçka konkrete për ndonjë rol të ri. Ndoshta për shkak të angazhimeve të mia nëpër festivale ndërkombëtare.

Tani thotë se është në një projekt të ri, të cilin sapo e ka përfunduar xhirimet dhe beson që së shpejti do të jepet nëpër kinematë e Evropës.

“Është ky filmi ‘The Berlin Project”, ku unë luaj rolin e Sebastianit. Deri tani kam pasur xhirimet atje. Aty luaj njërin prej roleve kryesore, ndërkaq do të jem edhe në një xhirim tjetër në Belgjikë, ku pritet të fillojnë xhirimet më 31 janar”, ka thënë Destani për Rozë.
Por, ky nuk është projekti i vetëm i Destanit në këtë vit, pasi që ai ka edhe një audicion në New York gjatë këtyre muajve të parë të vitit.

“Do të shkoj në New York në këtë audicion dhe do të shikoj a do të mund të hyj në një projekt. Shpresoj që edhe atje të marr njërin prej roleve kryesore”, ka thënë ai.

Ndryshe, Destani vitin e kaluar kishte marrë pjesë në një rol sekondar edhe në Hollywood, ku kishte luajtur në një film.

Ai është paraqitur edhe në filmat “Get Low”, pastaj “Seperation City”, “At Worlds End”, dhe në filmin televiziv “”The Whore”.

“Për momentin jam duke pushuar në Kosovë, por mandej pas datës 31 të këtij muaji do të angazhohem menjëherë në një projekt të radhës”, ka thënë ai.

Përpos aktrimit, Blerimi ka afinitet edhe për kinematografi pasi që tani vetëm ka përvojë edhe në regji dhe produksion.

Ai ishte bashkë-producent në filmin e suksesshëm të produksionit maqedonas “The Great Water” (me regji të Ivo Trajkov) që u xhirua në vitin 2004. Në vitin 2005 filmi kishte marrë pjesë në shumë festivale të njohura ndërkombëtare dhe kishte marrë edhe një numër të madh të shpërblimeve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›