Marty me ekip
Rekrutimi i stafit që do të punojë për Task Forcën e Bashkimit Europian, e cila do t’i hetojë pohimet e raportit të Dick Martyt për të ashtuquajturën tregtinë me organe në Kosovë, është duke u finalizuar.
Zyrtarë të EULEX’it kanë deklaruar se presin që hetimet për këtë çështje të fillojnë shpejt, pa precizuar ndonjë afat.
“Rekrutimi është duke u finalizuar. Presim që Task Forca të fillojë punën shumë shpejt”, ka thënë zëdhënësi i EULEX’it, Blerim Krasniqi për Express duke u përgjigjur përmes e mailit.
Raporti i Martyt, i cili është miratuar në Këshillin e Europës, implikon udhëheqës të lartë të UÇK’së në të ashtuquajturën tregti të organeve në Kosovë, e ku përfshihet edhe Kryeministri aktual, Hashim Thaçi.
Në EULEX, kohë më parë kanë bërë të ditur se Task Forca do të udhëhiqet nga një prokuror dhe do të përbëhet nga hetues dhe zyrtarë ligjorë.
Ky mision kishte njoftuar se ky mekanizëm do të bëhej pjesërisht funksional deri në fund të korrikut.
Zëdhënësi Krasniqi ka deklaruar se tashmë janë vendosur kontakte edhe me senatorin zviceran Dick Marty. E në bazë të deklaratave të zyrtarëve të misionit, zvicerani nuk është më vetëm. EULEX ka thënë se është duke bashkëpunuar me atë që e ka quajtur “ekip” të Martyt, pa dhënë më shumë detaje.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...