Demonstratat, ekonomia nuk u paralizua
Demonstratat e dhunshme dje në kryeqytet nuk e paralizuan ekonominë. Bizneset, nuk u ndikuan nga situata e nderë në qendër të Tiranës. Ata kanë vijuar punën si çdo ditë tjetër. Ndërsa përpara kryeministrisë, grupi i demonstruesve vazhdonte përleshjet me policinë, në lagjet e tjera të Tiranës jeta ka vazhduar normalisht. Furrat e bukës, pikat e pakicës, lokalet, qendrat tregtare, karburantet, agjencitë e këmbimit valutor, agjencitë turistike, etj, kanë qenë hapur gjatë gjithë ditës. Gazeta “MAPO” gjatë vëzhgimit që bëri ditën e djeshme, në lagje të ndryshme të kryeqytetit, “21 Dhjetori”, “Myslym Shyri”, “Shallvaret”, “Tiranë e Re”, “Zona e ish-Bllokut”, “Brryli”, etj, u vu re se prej orës 14:00, orë në të cilën nisi protesta në qendër të Tiranës, asnjë biznes nuk mbylli aktivitetin e tij. Në të gjitha dyqanet e kryeqytetit u vu re një aktivitet normal; njerëz që hynin, blinin dhe iknin. Sipas tregtarëve, nuk gjenin asnjë arsye që të trembeshin për të punuar. Ditën e djeshme u vu re gjithashtu një sjellje konsumatore normale, e cila veproi si çdo ditë, duke konsumuar gjithë produktet rutinë. Në këtë mënyrë, pavarësisht situatës së rënduar, e cila gjeneroi në veprime dhune, biznesi vazhdoi punën dhe monedha kombëtare, lek, nuk u zhvlerësua, por gjatë ditës së djeshme pati qëndrueshmëri. Nga ana tjetër, nëse situata e nderë me shkaqe politike do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim, si paralajmërim i protestave të tjera nga ana e opozitës, do të shihet nëse do të ndikojë në ekonominë e vendit, sidomos tek bizneset. Sipas ekspertëve, kostot e biznesit nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me krizën politike sesa me shkaqe të thella, të krijuara për një kohë të gjatë në ekonominë shqiptare. Sipas tyre, problemet politike si pasojë e dukshme nuk kanë lidhje me kostot shtesë, por ndikojnë në mosmarrjen e vendimeve të forta që do të mund të pakësonin problematikën që ndodhet prej kohësh. Ekspertët gjykojnë se deri më sot, nuk ka të dhëna, të paktën për institucionet e ndryshme dhe investitorët e huaj, të jenë ndikuar nga paqartësitë politike në vend. Megjithatë, demonstratat e djeshme, sipas ekspertëve nuk janë një imazh i mirë përtej kufirit, në lidhje me investitorët, e sidomos me fushën e turizmit, në një kohë ku qeveria shqiptare e ka shpallur këtë fushë si një nga prioritetet e saj duke marrë nisma të rëndësishme fiskale, si heqjen e taksave, turizmit malor deri në 5 vjet, etj. Sipas tyre, imazhet e djeshme do të bëjnë xhiron e botës dhe vështirë që 2011 të jetë destinacioni i preferuar turistik për shtetasit e huaj.