E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masterat part-time, zbardhen tarifat e studimit

SHKRUAN: Jonida Tashi 22-01-2011 10:29

Zbardhen tarifat përfundimtare të studimit që do të paguajnë gjatë vitit akademik 2010-2011 studentët që kanë nisur studimet e ciklit të dytë “Master profesional”, me kohë të pjesshme, dhe edukimin në distancë. Këtë vit akademik këto studime janë ofruar për herë të parë me kohë të pjesshme nga dy universitete publike të vendit, ai i Tiranës dhe i Elbasanit. Më konkretisht, në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës për këto studime janë i akorduar 380 kuota, kurse Fakultetit të Shkencave Humane të Universitetit të Elbasanit, 660 të tilla. Qeveria ka miratuar tarifat e shkollimit për 90 kredite dhe tarifat e shkollimit për çdo kredit, për aplikantët që do të regjistrohen në vitin e parë, në programet e studimit të ciklit të dytë, me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, në vitin akademik 2010-2011. Sipas vendimit, përjashtohen nga tarifa e shkollimit aplikantët që fitojnë të drejtën për të studiuar në një program studimi të ciklit të dytë, me kohë të pjesshme, dhe edukim në distancë, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2010-2011, të cilët u përkasin këtyre kategorive sociale: të verbrit, të shurdhrit, invalidët, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, fëmijët që gëzojnë statusin ligjor të jetimit, fëmijët e familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës, fëmijët e ish-të përndjekurve politikë, fëmijët romë dhe ballkano-egjiptianë. Vendimi saktëson se studentët e paguajnë tarifën e shkollimit, të ndarë në këste, në përputhje me kreditet e

lëndëve që do të frekuentojnë në çdo vit akademik. Ndërkohë që studenti është i detyruar t’i nënshtrohet tarifës së shkollimit për një lëndë sa herë e frekuenton atë. Studentët e shkëlqyer nuk e paguajnë tarifën e shkollimit. Ndërsa për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit dhe shtetasit e huaj, që do të vazhdojnë studimet në një program studimi me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen së njëjtës tarifë shkollimi si shtetasit shqiptarë, me përjashtim të rasteve kur me marrëveshje zyrtare, shtetërore janë përcaktuar mënyra të tjera për tarifat. Sipas vendimit të qeverisë, të botuar dje edhe në Fletoren Zyrtare, “Për kuotat e pranimit dhe tarifat e shkollimit për ciklin e dytë të studimeve, me kohë të pjesshme, dhe edukimin në distancë, në institucionet publike të arsimit të lartë, për vitin akademik 2010-2011”, kuota e përgjithshme e pranimeve, për studimet e ciklit të dytë “Master profesional”, me kohë të pjesshme, dhe edukimin në distancë, për vitin akademik 2010-2011, të jetë 1180. Pjesa më e madhe e kuotës totale të pranimit i është dhënë pranimeve të reja për programet e ciklit të dytë me kohë të pjesshme, 1040 studentë; 40 kuota janë dhënë për transferim studimesh; 60 për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit dhe shtetas të huaj; 40 për të përndjekurit politikë. Çdo shtetas shqiptar, që zotëron një diplomë universitare, së paku “Bachelor”, të fituar brenda ose jashtë vendit, të barasvlershme me të, ka të drejtë të aplikojë në programet e studimit të ciklit të dytë, me kohë të pjesshme, dhe edukimin në distancë, në institucionet publike të arsimit të lartë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›