Masa 22 prokurorëve, ministria mbyll raportin
Trazhgim Sokolaj
Ministria e Drejtësisë përfundon hartimin e raport-inspektimit të realizuar në Prokurorinë e Tiranës, me anë të të cilit kërkohet shkarkimi i 12 prokurorëve dhe transferimi i dhjetë të tjerëve.Lajmi konfirmohet nga burime të dikasterit të drejtësisë, të cilat thanë se raporti i inspektimit tashmë ka përfunduar dhe po i nënshtrohet procedurave formale përfundimtare në Ministrinë e Drejtësisë. Brenda pak ditësh mësohet se dokumenti do t’i dërgohet për dijeni Prokurorisë së Përgjithshme dhe Presidentit të Republikës. Në raport-kontrollin e Ministrisë së Drejtësisë mësohet se janë renditur një sërë shkeljesh të gjetura gjatë kontrollit të ushtruar në Prokurorinë e Tiranës. Bëhet fjalë për mosfillimin e procedimeve penale lidhur me kallëzime të qytetarëve, policisë apo institucioneve shtetërore. Sipas të dhënave zyrtare, mësohet se mosfillimi i procedimeve penale ka qenë në shifrat 20-25 për qind të kallëzimeve të paraqitura. Ndërkaq një tjetër shkelje është konsideruar ajo që lidhet me klasifikimin e veprave penale, pasi në shumë raste është vënë re se ngjarje që kanë ndodhur në formën e vrasje së mbetur në tentativë janë klasifikuar prej prokurorëve si plagosje të lehta çka ka lehtësuar dukshëm autorët e këtyre krimeve. Ministria e Drejtësisë filloi inspektimin në Prokurorinë e Tiranës, duke marrë shkas nga ankesat e ndryshme të qytetarëve ndërsa verifikimi i kallëzimeve dhe dosjeve të zgjidhura përfshiu një afat kohor deri në vitin 2006. Kallëzimet apo dosjet penale pas këtij afati u verifikuan pjesërisht, pasi ligji ndalon institucionet e jashtme të marrin dijeni për detaje të dosjeve që janë ende të pa zgjidhura apo në hetim. Gjithsesi në përfundim të raportit është konstatuar se në Prokurorinë e Tiranës ka pasur abuzime në klasifikimin e veprave penale madje ministria ka hedhur dyshime për korrupsion në disa prej këtyre rasteve. Nga ana tjetër është kritikuar edhe politika e mosfillimit të procedimeve penale për disa kallëzime apo materiale, që nuk janë verifikuar seriozisht nga Prokuroria e Tiranës. Ministria e Drejtësisë pritet që sipas ligjit ta paraqesë raportin në Prokurorinë e Përgjithshme, mirëpo kjo e fundit ka theksuar se do të verifikojë nga ana e saj pretendimet e Ministrisë së Drejtësisë dhe vetëm më pas do të marrë masat përkatëse në rast se vërtetohen shkeljet e pretenduara. Gjatë verifikimeve nga inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë janë krijuar edhe incidente, siç ishte rasti i ngjarjes së ndodhur më 9 tetor 2008 kur punonjës të Ministrisë së Drejtësisë tentuan të hynin forcërisht jashtë orarit zyrtar në ambientet e Prokurorisë së Tiranës për të kontrolluar dosjen “Fazlliç”.