E Diel, 1 Nëntor 2026

Majko: Kompensoni më parë pronarët. PD toka nuk është pjellore

Propozimi i qeverisë për kultivimin e ullirit në një sipërfaqe deri në 1000 ha në disa komuna të Kavajës ka shkaktuar debate të shumta dje në Komisionin e Ligjeve. Opozita është shprehur pro kësaj nisme, por ata i kanë kujtuar qeverisë që miratimi i projektligjeve të tilla kërkon kohë në dispozicion, me qëllim që të ballafaqohen me të gjitha elementet. Opozita, ka theksuar mazhoranca, duhet t‘ia japë pronën pronarëve në Shqipëri, të cilët po enden për të kërkuar pronat e tyre. Deputeti Majko ka kërkuar të dijë nëse qeveria ka pyetur më parë ish-pronarët se në Kavajë ka një sipërfaqe toke prej 1000 ha dhe nëse ata e duan për kompensim. Më parë, tha Majko, duhet të bëni këtë veprim dhe pastaj, nëse ata e refuzojnë, mund t‘ua jepni atyre që japin ofertën më të parë për marrjen e saj. Është ironike, u shpreh Majko, që këtë kërkesë të djathtëve po ua bëjnë deputetët e majtë, kur dihet se mazhoranca e sotme ka dalë gjithmonë me parullën për të kompensuar ish-pronarët. Në të njëjtin qëndrim me deputetët e opozitës ka qenë edhe deputeti i PR-së në Komisionin e Ligjeve, Arian Madhi, i cili ka abstenuar për këtë ligj. Madhi ka deklaruar se "do ta abstenoj për sa kohë nuk kam një relacion të plotë. Nuk vë në dyshim atë që thanë kolegët e mi, që tokat janë të zërit kadastral të pafrytshme etj., por unë do të komunikoj me Ministrinë e Bujqësisë, do ta kërkoj zyrtarisht dhe nëse është vërtet kështu, vota ime në Kuvend do të jetë pro". Deputeti i PD-së, Dashnor Sula, ka theksuar se kjo kontratë duhet përshëndetur, pasi është e para që vjen në fushën e bujqësisë. Kjo kontratë vjen në përputhje me ligjin e Kushtetutën dhe duhet të miratohet. Deputeti Sula është ndalur te pozicioni gjeografik i këtyre tokave, të cilat nuk janë prona në pjesën e bregdetit, këto toka, ka sqaruar deputeti i PD-së, janë në thellësi dhe të jeni të sigurt që nuk janë toka produktive. Sipas deputetit Sula, fermerët dhe banorët e asaj zone janë të pajisur me tokë, sepse kanë pronat në fushë dhe janë mjaft produktive. Meqë këto kodra nuk janë produktive është zgjedhur varianti më i mirë që ata të futen në funksion, duke u mbjellë me ullinj. Sa për ish-pronarët, nuk mund ta pranojnë këtë tokë, pasi ata do të donin një tokë e cila mund të kishte vlerë. Ndërsa deputeti i PS-së, Besnik Dervishi, ka deklaruar se kjo është një iniciativë e guximshme e një operatori privat, e cila për fat të keq ndeshet me mungesën e veprimtarive programore, zhvillimore të kësaj qeverie dhe që i deformon në aksione klienteliste që sfumojnë dhe këto iniciativa të guximshme. PS-ja është shprehur pro koncesionit në parim, por kundër korrupsionit është shprehur Dervishi. Por, pavarësisht qëndrimit të opozitës, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Rusmali, ka hedhur në votim koncesionin, duke e miratuar vetëm me votat e mazhorancës. Tashmë ky koncesion do të kalojë për miratim në Kuvend.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›