E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mospagimi për demontimet, Uzina e Gramshit gjyq kundër Delijorgjit

 

TIRANE – Mihal Delijorgji, i arrestuari kryesor për shpërthimin e 15 marsit në “Gërdec” të Vorës, refuzoi dje të paraqitej në Gjykatën e Tiranës si palë e paditur në gjyqin që ka nisur kundër tij Uzina Mekanike e Armatimit në Gramsh. Nëpërmjet një deklarate të dorëzuar policëve të togës së shoqërimit, ai pohonte se nuk kishte dëshirë për t’u paraqitur, ndërkohë ngarkonte për ta përfaqësuar avokatin e tij. Uzina Mekanike e Armatimit në Çekin të Gramshit, përfaqësuar nga drejtori i saj, pretendon se midis këtij subjekti dhe Mihal Delijorgjit, kreut të kompanisë “Albademil”, më 25 shkurt 2008 është nënshkruar një kontratë për demontimin e 40380 predhave të artilerisë 100 milimetër, kundrejt një pagese 170 lekë të reja për copë. E thënë ndryshe, në përfundim të procesit të punës shoqëria “Alb Demil” do të paguante uzinën me 6.864.600 lekë. Puna për demontimin ka vazhduar deri më 15 mars, kur shpërtheu uzina e Gërdecit dhe firma “Alb Demil”, presidenti i saj Mihal Delijorgji dhe dDrejtori i Përgjithshëm Dritan Minxolli u morën në përgjegjësi penale. Deri në këtë moment në Gramsh ishin demontuar 14.095 predha, duke dalë si produkte 4.310 kilogramë bakër; 17.665 kilogramë tritol dhe 136 kilogramë ekzogjen. Ndërsa detyrimi i firmës “Alb Demil” për uzinën e Çekinit duhet të ishte 2.396.150 lekë të reja, të cilat nuk janë paguar ende. Duke mos pasur rrugë tjetër zgjidhjeje që të marrë pagesën, Drejtoria e Uzinës mekanike iu drejtua Gjykatës së Tiranës duke i kërkuar bllokimin e më pas sekuestrimin e produkteve që kanë dalë nga demontimi i predhave dhe më pas t’i shesë ato në ankand shtetëror dhe me fitimin të shlyejë rrogat e prapambetura të punëtorëve. Për të vërtetuar këtë pretendim, Uzina e Armatimit depozitoi në gjykatë bashkë me kërkesën për sigurimin e padisë edhe të gjitha provat shkresore. Në bazës të këtyre dokumenteve, Gjykata e Tiranës në verë të vitit të kaluar ka vendosur pro UMAG, duke bllokuar materialet e përfituara nga demontimi deri në zgjidhjen e çështjes në themel.                    fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›