E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhi i "Zogby": PD, 30%. PS, 37%

Partia Socialiste do të dilte fituese e zgjedhjeve parlamentare, nëse ato do të mbaheshin në muajin janar. Ky ishte rezultati i publikuar dje nga agjencia e njohur "Zogby International" dhe "Top Channel". Faqja e parë e sondazhit tregon se 82% e personave të anketuar, pyetjes nëse do të shkojnë apo jo drejt kutive të votimit, i janë përgjigjur pozitivisht. Kundër kësaj pyetjeje i janë përgjigjur 19% e të anketuarve nga "Zogby International". Të pyetur se për cilën parti do të pranonin të votonin nëse do t‘u kërkohej të shpreheshin në janar, 37% zgjedhin Partinë Socialiste, ndërsa 30% e tyre kanë preferuar të zgjedhin Partinë Demokratike, që aktualisht qeveris vendin. Sakaq, 5% kanë zgjedhur Lëvizjen Socialiste për Integrim, të drejtuar nga ish-kryeministri Ilir Meta. 19% e të anketuarve kanë thënë se ende nuk janë të vendosur se për cilën forcë politike duhet të votojnë dhe 4% refuzojnë të përgjigjen. Tri parti të tjera të vogla arrijnë të marrin vetëm nga 1 për qind të votave, përkatësisht PR, PDK dhe PBDNJ. Rezulton se përqindja e të intervistuarve që janë të pavendosur për kë do të votojnë, është relativisht e lartë. Nëse shikohen të gjitha shifrat, masa prej 19% e të pavendosurve mund të lëvizë ekuilibrat e sondazhit. Pyetjes se sa e preferojnë një parti politike, në rastin e Partisë Demokratike 54% kanë mendim pozitiv, 38% negativ dhe 8% të pavendosur. Sa i takon Partisë Socialiste, 62% shprehin një mendim pozitiv, 28% reagojnë negativisht dhe 10% nuk janë të sigurt. Po sipas rezultateve të sondazhit të publikuar në "Top Channel", një masë prej 51% të të anketuarve kanë vendosur tashmë se për kë do të votojnë, 29% duket se shfaqin prirjet e tyre, 11% ende nuk kanë vendosur për votën dhe 10% nuk e dinë se kë të zgjedhin. Një tjetër pyetje ka të bëjë me performancën e liderit të mazhorancës, Sali Berisha, dhe atë të liderit të opozitës, Edi Rama. 44% e të pyeturve mendojnë se Rama ka një imazh pozitiv, 52% thonë se performanca e tij është negative dhe 5% nuk janë të vendosur. Të pyetur për Sali Berishën, rezultati është: 32% mendim pozitiv, 65% mendim negativ dhe 2% të pavendosur. Interesant paraqitet edhe grafiku që mban përgjigjet për drejtimin që po merr Shqipëria. 44% kësaj pyetjeje i përgjigjen se vendi po shkon në drejtimin e duhur, ndërsa 41% se po ecën në rrugën e gabuar. 15% e pjesëtarëve të anketës shfaqen të pavendosur për përgjigjen e tyre. Një tjetër element ishte ai i tri çështjeve të cilat shqetësojnë më së shumti qytetarët shqiptarë. 66% e të pyeturve mendojnë se papunësia është çështja më shqetësuese, 57% rreshtojnë edhe ekonominë, teksa varfëria është problem për 47% të të intervistuarve. Pas tyre vijnë korrupsioni në qeveri me 32%, inflacioni dhe çmimet e larta me 20%, infrastruktura me 18%, shëndetësia me 14%, krimi me 9% dhe edukimi 8%. Materiali në fjalë përbën një sondim të 1000 votuesve shqiptarë çdo muaj, që prej janarit deri në maj të 2009-ës. "Zogby International" analizoi mendimin e 1000 votuesve të mundshëm shqiptarë, gjatë muajit janar. Ky monitorim mbart një marzh gabimi prej +/- 3.2 për qind dhe do të kryhet çdo muaj deri para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

1991-2005

Fituesit dhe humbësit

e zgjedhjeve pluraliste

Në historikun e parlamentarizmit në Shqipëri, 31 marsi i vitit 1991 mbahet mend si data e zgjedhjeve të para pluraliste. Në atë kohë kandidonin përballë njëra-tjetrës Partia e Punës së Shqipërisë dhe Partia Demokratike. Nga Parlamenti me 250 vende, opozita e drejtuar nga demokratët mori vetëm 64 të tilla. Kryeministër i qeverisë, që doli pas këtyre zgjedhjeve, ishte Fatos Nano dhe President mbeti Ramiz Alia. Vetëm një vit do të ishte jetëgjatësia e kësaj qeverie, e cila i la vendin një qeverie tjetër me përbërje të të gjitha forcave politike parlamentare dhe joparlamentare. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbaheshin në 22 marsin e vitit 1992. Në këtë garë ishin përballë njëra-tjetrës Partia Socialiste (shndërrimi i Partisë së Punës) dhe Partia Demokratike e Shqipërisë. Demokratët në këtë sfidë elektorale do të arrinin të merrnin mbi 60% të mandateve të Kuvendit të Shqipërisë, që përbëhej nga 140 vende. Kjo do të shënonte edhe fitoren e parë të një force demokratike në zgjedhjet pluraliste në Shqipërinë postkomuniste. Në nëntorin e vitit 1994, Partia Demokratike bëhet nismëtarja e një referendumi për ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Vota popullore do të nxirrte në një disavantazh mbështetësit e paketës së ndryshimeve në dokumentin themeltar të shtetit. Qeveria, e kryesuar nga Aleksandër Meksi, e mbaroi mandatin e saj të rregullt katërvjeçar deri në zhvillimin e zgjedhjeve të 26 majit të vitit 1996. Partitë e opozitës u tërhoqën nga procesi i votimit dhe kontestuan procesin me pretendimin se ishin kryer vjedhje masive të votave. Sipas rezultatit të shpallur, Partia Demokratike mori fitoren më të bindshme, duke i lënë Partisë Socialiste në opozitë vetëm 10 mandate deputetësh nga 140. Rënia e skemave piramidale dhe pakënaqësitë popullore do të shkaktonin rënien e qeverisë "Meksi" dhe krijimin e një kabineti me bazë të gjerë, që u quajt Qeveria e Pajtimit Kombëtar, e kryesuar nga Bashkim Fino. Ajo do të përgatiste zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 29 qershorit të vitit 1997. Sipas rezultatit të zgjedhjeve, Partia Socialiste arriti të sigurojë rreth 100 vende në Parlament dhe demokratët kaluan në opozitë. Më 24 qershor të vitit 2001 u mbajtën zgjedhjet e tjera për Kuvendin e Shqipërisë. Partia Socialiste arriti të rikonfirmohej në drejtim të qeverisjes, teksa grumbulloi votat e duhura për të marrë 75 mandate deputetësh. Zgjedhjet e gjashta pluraliste u mbajtën më 3 korrikun e vitit 2005. Pas tetë vitesh në drejtim të shtetit, Partia Socialiste dhe koalicioni i majtë kaloi në opozitë. Demokratët morën 56 mandate deputetësh, teksa socialistët fituan 42 të tilla. Zgjedhjet e fundit të zhvilluara në Shqipëri janë ato për pushtetin lokal, që u mbajtën më 18 shkurt të vitit 2007. Sipas rezultatit final të zgjedhjeve, kryesoi Partia Socialiste dhe u ndoq nga Partia Demokratike e Lëvizja Socialiste për Integrim. D.Malaj

Tabelë

Zgjedhjet parlamentare

31 mars 1991

Fiton Partia e Punës, PD në opozitë

22 mars 1992

PD fiton bindshëm, PS në opozitë

26 maj 1996

PS fiton bindshëm, opozita tërhiqet

29 qershor 1997

PS fiton 100 vende, 27 PD

24 qershor 2001

PS fiton dhe PD në opozitë

3 korrik 2005

PD fiton dhe PS në opozitë

Skema

Metodologjia e sondazhit

"Zogby International" u mandatua nga "Top Channel" që të zhvillojë një sondazh të 1000 votuesve shqiptarë çdo muaj, që prej janarit deri në maj të 2009-ës. "Zogby International" analizoi mendimin e 1000 votuesve të mundshëm shqiptarë, gjatë muajit janar. Ky monitorim mbart një marzh gabimi prej +/- 3.2 për qind. Të gjitha intervistat në këtë anketim u kryen ballë përballë. Të anketuarit u përzgjodhën përmes metodës që vijon më poshtë: I gjithë kombi shqiptar është i ndarë në zona që bazohen mbi rreth 4.713 qendrash votimi. 100 qendra votimi janë përzgjedhur nga lista e plotë e tyre (këto njihen si njësitë primare shembull). Në çdo njësi primare shembull, skuadrat në terren zhvillojnë 10 intervista ballë përballë. Të anketuarit janë përzgjedhur nga banorët e shtëpisë. Vetë familjet janë përzgjedhur në mënyrë rastësore, nga një proces që njihet si kampioni i burimit rastësor, ku një i intervistuar kalon përmes një procesi seleksionimi të rastësishëm dhe përzgjedh familjarë që bazohen në një formulë të parallogaritur. Kur përzgjidhet një familje, i kampionuari në këtë shtëpi është zgjedhur duke përdorur metodën e ditëlindjes më të afërt (personi që jeton në këtë familje me ditëlindjen më të afërt nisur nga data e intervistës). Të gjithë të kampionuarit janë të moshës së votimit (18 vjeç e lart). Intervistuesit në terren do të përpiqen që të kontaktojnë të kampionuarit mbi 3 herë, nëse ata janë të padisponueshëm gjatë fillimit të procesit. Të gjithë intervistuesit në terren janë trajnuar profesionalisht dhe janë supervizuar në terren nga koordinatorë të fushës. Kontrolli i cilësisë sigurohet nga zhvillimi i intervistave pasuese me të paktën 10 për qind të të kampionuarve. Këtyre të fundit u kërkohet që të përsërisin përgjigjet e tyre përmes shumë pyetjeve për të certifikuar sondazhin. Të gjitha të dhënat finale vendosen në tabela dhe rishikohen përpara njoftimit zyrtar të rezultatit.

Risia

Çdo muaj, sondazhi në "Top Channel"

Zgjedhjet e 28 qershorit do të vendosin se kush do të qeverisë Shqipërinë në katër vitet e ardhshme. Për herë të parë në historinë elektorale të Shqipërisë, një nga kompanitë më prestigjioze botërore të sondazheve do të publikojë sondazhe mujore të opinioneve në ekranin më të madh shqiptar. Kompania amerikane me famë botërore e sondazheve "Zogby International", e njohur së fundmi për saktësinë e lartë të sondazheve në zgjedhjet presidenciale amerikane, në bashkëpunimin me mediat e mëdha amerikane "Fox News", "USA Today", "Wall Street Journal" dhe agjencinë botërore të lajmeve "Reuters", vjen tani në Shqipëri me sondazhet mujore të opinioneve deri në prag të fushatës elektorale. Sondazhet "Zogby", për partitë, politikanët dhe shqetësimet kryesore të shqiptarëve, çdo muaj në "Top Channel".

Intervistë e drejtpërdrejt nga Majami me pronarin dhe presidentin e kompanisë "Zogby International"

"Zogby": Nuk kemi interes se kush fiton në Shqipëri

"Top Channel" kreu një intervistë mbrëmë në darkë me pronarin e kompanisë "Zogby International". Ai rrëfeu për historikun e saj dhe konkretisht për punën që është bërë në raport me sondazhin për zgjedhjet në Shqipëri.

Si e ka filluar punën me sondazhet kompania juaj dhe cili është thelbi i punës së kompanisë suaj?

Unë kam nisur punë në vitin 1984, pra 24 vite më parë, atëherë si akademik dhe njëkohësisht kandidova për një post publik, si një kandidat për zyrën publike. Punoja me studentët e mi. Bëja sondazh për garën time politike, që në fund e humba. Por kjo më solli një gjë të mirë, sepse vendosa të merresha me sondazhe. Duke punuar, kemi formuar një skuadër të fortë dhe pa të cilën nuk do të mund të kisha këto rezultate të mira që kam arritur. Nisa punë me kompaninë, disa vite pas kandidaturës sime. Tani arrij të shoh sesi kjo kompani u rrit, shkëlqeu dhe që atëherë kemi një reputacion shumë të mirë mbi besueshmërinë dhe efektivitetin e kompanisë, në realizueshmërinë e sondazheve.

Kompania juaj organizoi disa sondazhe me organizata shumë të njohura në Amerikë si "Fox News" dhe agjencia e mirënjohur britanike "Reuters". Si dolën rezultatet e sondazhit të "Zogby International" krahasuar me rezultatet aktuale në terren dhe si ka qenë ky krahasim edhe në zgjedhjet e mëparshme presidenciale?

Viti 2008 ka qenë një vit i suksesshëm për kompaninë tonë. Në zgjedhjet presidenciale në Amerikë, ku votoi populli amerikan, ne gjetëm rezultatin e fitores së Obamës vetëm me një pikë diferencë dhe atë të MekKein, vetëm me tri pikë diferencë. Po të shikosh rezultatet, janë shumë afër rezultatit final të zgjedhjeve. Në nëntë shtete, ku ne kemi bërë sondazh, kemi nxjerrë rezultate shumë më të ngushta se çdo kompani tjetër, që ka bërë sondazhe dhe sidomos në tetë shtete nga nëntë që kemi bërë sondazhe. Viti 2008 ishte një vit shumë i mirë dhe rezultativ. Ne kemi bërë sondazh për zgjedhjet në Amerikë, që nga viti 1996 dhe jemi shumë krenarë që nga 1996-a, në vitin 2000, në 2004-ën sondazhet tona nxorën rezultate shumë të ngushta, me rezultatet finale të zgjedhjeve, ndryshe nga kompanitë e tjera të sondazheve.

Mund të na shpjegoni disa nga terminologjitë e sondazheve politike, siç është "votuesit e mundshëm" apo "marzhi i gabimit"?

Votues potencial është një term shumë i rëndësishëm, kur do të bësh sondazh, sidomos për zgjedhjet. Të bësh sondazh duhet që sondazh-bërësi të jetë i sigurt që individi që ai po i bën sondazh do të votojë dhe pjesëmarrja e tij në votim është me shumë rëndësi. Sondazhin tonë e bëjmë duke pyetur njerëzit përpara zgjedhjeve, duke vërtetuar nëse ai është vërtet një person që nuk do të votojë, ose do të votojë. Votuesi i mundshëm apo potencial është një term shumë i rëndësishëm që ne e përdorim. Një nga këto është kufiri apo marzhi i gabimit. Nëse do të kemi 1000 votues të mundshëm, nëse do ta bëjmë 100 herë sondazhin, në 95 raste do të gjejmë të njëjtat rezultate plus ose minus tre pikë. Pra, nëse njëri kandidat ka 50% dhe tjetri 50% do të thotë që 95 rastet nga 100 rastet që ne kemi bërë sondazh kemi marrë rezultatet që një kandidat mund të fitojë 53% dhe kandidati tjetër 47%, ose anasjelltas me këtë diferencë. Pra, është shumë i ngushtë si rezultat dhe i afërt me rezultatin real.

Një çështje shumë e rëndësishme është marrëdhënia mes politikës dhe sondazheve. Në SHBA, "Zogby International" ka bërë sondazhe si për demokratët dhe për republikanët. Si pozicionoheni politikisht? Pra, çfarë pozicioni ka dhe si e ruani neutralitetin gjatë sondazheve kompania juaj?

Personat që punojnë në kompani kanë pikëpamjet e tyre politike, për kahje të ndryshme politike. Por, kur bëhet fjalë për kompaninë "Zogby International", ne mbajmë traditën tonë, pasi ne po i shërbejmë publikut, duke i dhënë rezultate të sakta dhe të ndershme. E di që rezultatet janë të ndershme, pasi ne punojmë shumë. Por, theksoj se janë të ndershme, pasi edhe pse mund të jemi vlerësuar apo të jemi sulmuar nga partitë politike në Amerikë, sondazhet janë bërë pa ndikim partiak. Kjo, bazuar mbi rezultatet e sondazheve që janë bërë mbi njerëzit dhe jam i bindur se ne po bëjmë një gjë të drejtë.

Po lexoja diçka në intervistat tuaja, ku ju thoni që ata që i sulmojnë sondazhet janë ata që i ndjekin më shumë ato...

Ata që sulmojnë sondazhet janë ata që i ndjekin rezultatet shumë afër dhe të jem i ndershëm, mua më pëlqen kjo, pasi më pëlqen që t‘i shikoj njerëzit që i shikojnë sondazhet nga afër. Kjo na bën të ndihemi më efektivë dhe të ndershëm. Dhe për këto ne punojmë shumë fort, për të bërë sa më pak gabime të mundshme, pasi ne e dimë që dikush po na shikon.

Le të kthehemi te Shqipëria dhe te projekti i "Zogby International" me "Top Channel", si dhe sondazhin që ne do ta bëjmë gjatë këtyre muajve përpara zgjedhjeve. Zakonisht në vende si Shqipëria, ku kemi dhe një sistem të ri politik zgjedhor, këtë vit, kandidatët, partitë kanë shpeshherë mosmarrëveshje mes tyre dhe sidomos pavarësia e mediave sulmohet. "Top Channel" është sulmuar disa herë në pavarësinë e tij. Ky lloj mjedisi, si do të ndikojë në sondazhin që do të bëhet nga ju dhe si silleni ju në situata të tilla të ngjashme?

Duhet të kuptoni që interesi im i vetëm në Shqipëri është që sondazhi të nxjerrë rezultate të sakta. Për mua personalisht dhe kompaninë time nuk ka ndonjë interes për ndonjë parti politike që do të fitojë shumicën e votave në ditën e zgjedhjeve. Kjo është kryesorja. Personat tanë janë të trajnuar që të jenë në terren dhe të pyesin dhe, ne nuk kemi njerëz të blerë. E vërteta do të dalë nga numrat. Dhe kjo është gjëja e rëndësishme që ne duhet të dimë. Ne kemi një histori shumë të mirë në vende të ndryshme dhe të vështira madje. Kemi bërë sondazhe në Iran, Liban, në territoret palestineze dhe kemi marrë rezultate të sakta në maksimumin që kemi punuar. Në Meksikë ishin rezultatet tona që parashikuan që një parti, e cila drejtonte prej 70 vitesh, ishte prapa me rezultatet në zgjedhje. Ne jemi e vetmja kompani sondazhesh që kemi bërë këtë sondazh dhe ne do të sjellim të njëjtën korrektësi dhe ndershmëri edhe në sondazhet që do të bëjmë në Shqipëri.

Po i paraprijmë skepticizmit që mund të ketë. Pse duhet t‘i besojnë shqiptarët sondazhit tuaj?

E para është ajo që sapo thashë, ne kujdesemi për punën tonë. Kujdesemi që gjërat të jenë sa më të rregullta. Puna ime e parë është që të sjellë rezultate të ndershme, të cilat unë dhe kompania ime do të menaxhojmë. Nuk kemi asnjë influencë në këto zgjedhje. "Zogby International" do të bëjë të njëjtën punë edhe pas zgjedhjeve, pa rëndësi se kush parti do të fitojë shumicën e votave, në këtë proces zgjedhor. E rëndësishme është që ne të krijojmë besimin që nuk kemi interes dhe ndikim për ndonjë parti të ndryshme në këto zgjedhje.

Si është i aftë sondazhi të kapë një moment në kohë të humorit kombëtar të një vendi dhe a mundet që sondazhet paraelektorale të kenë një influencë në zgjedhjet në vetvete apo në pikëpamjet e votuesve?

Së pari, ne duhet t‘u japim njerëzve shumë besim për të votuar ndershmërisht ose të votojnë për arsye të ndryshme, pavarësisht se si sondazhi im do të dalë. Në vende të ndryshme që kemi bërë sondazhe, nuk kemi raste që njerëzit ndryshojnë mendjet e tyre se kush është i pari dhe kush është pas tij në sondazh. Në terma të përgjithshëm, rezultati i sondazhit është diçka në interes të njerëzve dhe jo diçka që do të ndryshojë mendjet e tyre. Ata votojnë për ekonominë, shpresat dhe interesat e tyre dhe këto janë më të rëndësishme se sa cila parti do të drejtojë shtetin.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›