E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, projekt 13 milionë eurosh për ujësjellësin e qytetit

 

SHKODER - Ndërmarrja e Ujësjellësit në Shkodër nënshkruan një marrëveshje për lëvrimin e një fondi prej 13 milionë eurosh. Kjo shumë është parashikuar për projektin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe mbrojtjen ambientale të liqenit të Shkodrës. Kjo do të zgjidhë një herë e mirë problemin jetik të 130 mijë banorëve të qytetit e rrethinave për ujin e pijshëm. Projekti 13 milionë euro ka afatin për zbatim, shkurt 2009 - dhjetor 2011. “Ky investim do të realizojë përfundimin e ndërhyrjes në ujësjellës, duke bërë që Shkodra të zgjidhë përfundimisht problemin e furnizimit me ujë të pijshëm”, u shpreh Engjëll Gjondrekaj, drejtor i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në këtë qytet. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Gjondrekaj falënderoi donatorët. Ndërsa Kryetari i Bashkisë, Lorenc Luka u shpreh se një projekt i tillë është shumë i rëndësishëm për qytetin e Shkodrës. “Ky është një investim që plotëson ndjeshëm shërbimet ndaj qytetarëve, por njëkohësisht i jep Shkodrës imazhin e një qyteti të zhvilluar dhe perëndimor. Gjatë realizimit të këtij projekti, ndërmarrja e Ujësjellësit dhe donatorët që e kanë financuar atë do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisjes vendore”, pohoi Luka. Fondi prej 13 milionë eurosh është siguruar nga disa donatorë, mes të cilëve edhe qeveria shqiptare. Mësohet se donatorët e këtij projekti janë qeveria zvicerane, ajo austriake, gjermane si dhe qeveria shqiptare.                                r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›