Ndërrim i fortë i kursit - Planet e qeverisjes së Obamës
Pas një jave, Barak Obama bën betimin si Presidenti i ri SHBA-ve. Shpresat që lidhen me të janë gjigande, po ashtu si dhe problemet urgjente: kriza ekonomike, Iraku, Lindja e Afërt, Guantanamoja.
Në televizionin amerikan, ABC, Obama ditën e diel (11.1.) e bëri të qartë. Ndërrimi i kursit do të jetë i fortë me ndërrimin e pushtetit. Për shembull, në temën e Guantanamos. A planifikon këtu Obama një hetues special kundër qeverisë Bush? A do të lejojë ai zhvillimin e hetimeve për shkak të shkeljes të të drejtave të njeriut në të ashtuquajturën luftë kundër terrorit? Kështu u pyet Obama nga stacioni televiziv, ABC. Përgjigjja e tij: "Ne po shqyrtojmë akoma se si ta prekim të gjithë temën: marrjet në pyetje, hetimet, arrestimet etj. Natyrisht që e shohim praktikën e së kaluarës. Për mua vlen: Askush nuk e vë veten mbi ligjin. Por qëndrimi im është: Tani të shohim nga e ardhmja dhe jo në të shkuarën".
Kjo me siguri që nuk mjafton për të shkruar një kryetitull "Obama çon Bushin në gjyq për shkak të Guantanamos". Por në një pikë, Presidenti i ardhshëm u bë më konkret: Pasi zëvendëspresidenti, Dik Çeni ditët e fundit mori disa herë në mbrojtje praktikën e marrjes në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm përmes inskenimit të mbytjes në ujë, Obama e bëri të qartë, se Çeni vazhdon të mbrojë atë që për marrjet në pyetje ai i quan "masa të jashtëzakonshme" apo "procedura".
Për të, "Waterboarding" është torturë dhe kjo metodë nuk ka për të ekzistuar nën qeverisjen e tij. Është interesante se në fushatën elektorale, Xhon Mekejn dhe ai kanë pasur shumë qëndrime të ndryshme, por në këtë pikë kanë qenë një.
Mbyllja e Guantanamos do të kërkojë kohë
Obama mundohet të shmangë një zhgënjim të mundshëm: Edhe pse ministri i vjetër dhe i ri i Mbrojtjes, Robert Gejts po shqyrton mundësitë e mbylljes sa më të shpejtë të kampit të të burgosurve të Guantanamos, kjo mund të zgjasë më shumë se 100 ditët, për të cilat ka folur në fillim Obama. “Situata është e vështirë”, - ka thënë Presidenti i ardhshëm.
Ekip special për Lindjen e Afërt
Angazhim të shpejtë Obama ka premtuar për Lindjen e Afërt. Pasi ndërrimi i pushtetit ka pezulluar politikën amerikane në Lindjen e Afërt, Obama theksoi se menjëherë pas marrjes së pushtetit, do të angazhohet për një zgjidhje për përfundimin e luftës. "Momentalisht po krijoj një ekip, me qëllim që ne pas 20 janarit, që prej ditës së parë të mund të angazhohemi në procesin e paqes në Lindjen e Afërt. Që do të thotë se ne do të merremi me të gjithë aktorët atje. Kështu, do të bëjmë një trajtim historik të problemit, që garanton, që si izraelitët, ashtu edhe palestinezët të mund të realizojnë pretendimet e tyre".
Irani do të përbëjë përparësi në politikën e jashtme të Obamës
Edhe temës së Iranit ai do t´i kushtohet menjëherë. Kjo është një nga sfidat më të mëdha për të, është shprehur Presidenti i ardhshëm. Ai paralajmëroi se ky vend mund të shkaktonte një garë armatimi në rajon. Ai do të vendosë "pikërëndesa të reja për sa i përket respektit dhe gatishmërisë për bisedime", por edhe të bëjë të qartë se ku janë kufijtë e SHBA-ve.
Por sigurisht, deri në 20 janar natyrisht Presidenti aktual, Xhorxh W. Bush, e ka fjalën në çështjet e politikës së jashtme.