E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD-ja prezanton tetë magjistratët e rinj në gjykatën e Tiranës

13/01/2009  Emërohen një ditë pas “zemërimit të mistershëm”

TIRANË – Këshilli i Lartë i Drejtësisë prezantoi dje në gjykatën e Tiranës tetë magjistratët e rinj. Këta magjistrat në datë 24.12.2008 u propozuan për të kryer stazhin profesional si gjyqtarë pranë kësaj gjykate. Dekreti nr. 5992, datë 07.01.2009 i Presidentit të Republikës ka konfirmuar propozimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili në unanimitet dhe në ndryshim nga praktikat e mëparshme, mundëson fillimin e ushtrimit të veprimtarisë gjyqësore për tetë kandidatët për magjistratë në gjykatën e rrethit më të madh gjyqësor të vendit. Rëndësia e kësaj vendimmarrjeje u pa e lidhur me ngarkesën e lartë të punës dhe shumëllojshmërinë e çështjeve gjyqësore që ofron Gjykata e Shkallës së Parë të kryeqytetit dhe që u vlerësua nga Këshilli se i shërben formimit profesional të magjistratëve gjyqtarë. Prezantimi i kandidatëve për magjistratë u bë nga tre anëtarë të Këshillit, kryesuar nga zëvendëskryetari Kreshnik Spahiu në praninë e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Arben Ristani, dhe të kryetarit të gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë, Albert Meçe. Gjatë këtij prezantimi, përfaqësuesit e ‘organit qeverisës së gjyqësorit’ u komunikuan magjistratëve rëndësinë e misionit të tyre në drejtësi, vlerësimin e lartë për nivelin profesional që gjyqtarët magjistratë kanë dëshmuar të kenë sjellë në sistemin gjyqësor, si edhe vëmendjen e posaçme që Këshilli i Lartë i Drejtësisë vazhdon t’i kushtojë këtij investimi të rëndësishëm për dhënien e drejtësisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›