Masa: Fitohet në 18 gara, jo në kthesën e parafundit
"Botërori fitohet në 18 gara dhe jo në kthesën e parafundit. Nuk mund të akuzojmë askënd, por të mendojmë se si të korrigjojmë gabimet tona". Këtë e ka thënë Felipe Masa, gjatë darkës "gala" në autodromin e Muxhelos, në prag të festës së Ferrarit, që do të zhvillohet sot në cirkuitin toskan për të celebruar titullin e 16-të për konstruktorë, të fituar nga "Cavallino". Dukshëm krenar për ovacionin e gjatë, që të ftuarit i kanë dedikuar, Masa ka falënderuar skuadrën dhe i ka ftuar ata që të festojnë. Në darkë ka ndërhyrë edhe Kimi Raikonen. "Mund të fitonim katër tituj në dy vite, ka thënë finlandezi, por u ndalëm te vetëm tre. Megjithatë, është një rezultat i madh. Me rregullat e reja është e vështirë të thuash çfarë kampionati do të jetë ai i vitit tjetër, por ne do të jemi të gatshëm sërish për të luftuar për titullin kampion". Në festë, ku u shpërblyen të gjithë fituesit e kampionateve të ndryshme "Challange Ferrari", morën pjesë rreth 2 mijë persona.