E Diel, 1 Nëntor 2026

Masa; Mohojnë pronësinë e drogës, gjykata lë në burg tre gjermanët dhe dy shqiptarët



Mohojnë pronësinë e drogës para gjykatës, madje duke aluduar se nuk dinin që në makinë kishte drogë. “Ne menduam se miku ynë nga Gjermania na dha një pikturë ta merrnim në makinë dhe t’ia jepnim në Gjermani kur të shkonim në përfundim të udhëtimit”, - janë shprehur çifti gjerman lidhur me 40 kg heroinë, që u gjet në makinën e tyre me targa gjermane ditën e shtunë, përgjatë operacionit të koduar “Kështjella”. Ndërkohë që shtetasi gjerman i kapur në tentativë largimi drejt aeroportit “Nënë Tereza” është shprehur se nuk ka pasur dijeni çfarë ka pasur në makinën e miqve të tij nga Gjermania. Ai thjesht ka mbajtur makinën e tyre dhe ua dorëzoi. Më pas është nisur për t’u larguar drejt Gjermanisë. Por, faktet e paraqitura nga organi i akuzës para gjykatës tregonin dhe faktonin të kundërtën e këtyre deklarimeve. Për këtë arsye, gjykata caktoi masën “arrest me burg” për tre shtetasit gjermanë Daniel Englert, 61 vjeç, Franz Kiacsek, 43 vjeç dhe Regina Kiacsek, 46 vjeç. Po të njëjtën masë caktoi gjykata edhe për dy shqiptarët Albert Pëllumbaj, 69 vjeç dhe Zaim Tafa, 64 vjeç, të cilët kanë preferuar të mos flasin rreth akuzave dhe të mohojnë ato përmes avokatëve të tyre. Edhe për këta dy të akuzuar u caktua masa “arrest me burg”, ndërkohë që akuza e përbashkët për të gjithë të arrestuarit është “trafiku ndërkombëtar i drogës”. Sipas akuzës, gjatë dy ditëve që kanë ndenjur në Shqipëri, shtetasit gjermanë janë vëzhguar nga agjentët e Antidrogës për shkak të informacioneve të siguruara në rrugë operative. Në momentin që kanë futur drogën në makinë dhe janë nisur drejt Kakavijës, të ndjekur me makinë nga dy fierakët, Pëllumbaj dhe Tafa, ka ndërhyrë policia dhe ka bërë sekuestrimin e 40 kg heroinë, sasisë më të madhe të kapur ndonjëherë në vend.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›