Gjendet një kufomë burri e dekompozuar në liqen
POGRADEC-Rreth orës 7 e 30 minuta e mëngjesit të djeshëm, një kalimtar i rastit me biçikletë ka dalluar buzë liqenit të Pogradecit një kufomë njeriu të dekompozuar në zallin e liqenit.
Ai ka njoftuar menjëherë policinë me telefon, e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Kufoma ka qenë e dekompozuar pasi kishte kohë që kishte ngelur në liqen. Kufoma është dërguar në morgun e spitalit të qytetit për ekspertizë dhe identifikimin e saj.
Sipas burimeve policore, ka dyshime se kufoma mund të jetë e 37 vjeçarit Arjan Liçkollari nga fshati Vërdovë i Pogradecit baba i dy fëmijëve person në kërkim nga familjarët pasi ishte zhdukur në mënyrë misterioze që nga data 10 janar i vitit 2009.
Policia ka thërritur familjarët e Arjan Liçkollarit, të cilët me dekompozimin e shumtë që ka pasur kufoma nuk kanë qenë në gjendje ta njohin të afërmin e tyre. Sipas burimeve policore, pritet një grup ekspertësh nga laboratori i kriminalistikës në Tiranë për të kryer ekzaminimin e kufomës dhe identifikimin e saj.