Rama akuzon doganat për "TASK- FORCE"
Prokurorja e Përgjithshme, gjatë prezantimit të njësive të reja antikorrupsion në rrethe, tha se doganat nuk kanë bashkëpunuar si duhet
Ambasadori amerikan Xhon Uidhers, bëri thirrje që Prokuroria të mbetej jashtë ndikimit të politikës dhe hetuesit të mbroheshin
TIRANE- Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, akuzoi dje administratën e doganave se po pengon punën hetimore të TASK- FORCE-s, për hetimin e krimit ekonomik që lidhet me doganat.
Kryeprokurorja Rama e pohoi këtë fakt gjatë një takimi për prezantimin e njësive të reja të TASK- Force, në rrethet Vlorë, Fier, Gjirokastër, Durrës e Shkodër, e ngjashme me të njëjtën njësi të ngritur në Prokurorinë e Rrethit të Tiranës.
Sipas numrit një të organit qendror të akuzës në vend, njësia e Task- Forcë, për hetimin e antikrimit ekonomik e ngritur më tepër se dy vite më parë, ka pasur sukseset e veta, por se në jo pak raste ajo nuk ka mundur të hetojë si duhet për shkak të vonesës së të dhënave dhe dokumentacionit nga dogana.
Njësitë
Gjatë ditës së djeshme, në prani të ambasadorit të SHBA-së në Tiranë. Xhon Uidhers (John Withers) dhe të ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, është bërë edhe prezantimi njësive të reja të hetimit të antikrimit ekonomik në vend, të cilat do të jenë të shtrira në qytetet më të mëdha, konkretisht në 6 qytete.
Kjo strukturë është angazhuar më tepër në hetimin e korrupsionit në administratën shtetërore, kontrabandës, evazionit fiskal si dhe krimit ekonomik, duke përjashtuar vepra të tilla si falsifikimi i dokumenteve apo krime të tjera të lehta.
Struktura "Task Force" u krijua dy vjet më parë pranë Prokurorisë së Tiranës, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Pjesë përbërëse e saj janë specialistë të Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Ministrisë së Financave, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH).
Hetimi i korrupsionit në administratë, pritet të shtrihet edhe në qytetet e tjera të vendit, ku objekt kryesor i hetimit të këtyre njësive të reja të krijuara do të jenë krimi ekonomik dhe korrupsioni i administratës së pushtetit vendor në këto qytete.
Uidhërs kundër presioneve
Të pranishëm gjatë prezantimit të njësive të reja, gjatë ditës së djeshme ishin dhe ambasadori amerikan në Shqipëri, Xhon Uidhërs. Ambasadori SHBA-së në Tiranë, bëri thirrje që organi i akuzës dhe hetimi të mbeteshin jashtë ndikimit të politikës. "Prokurorët duhet të mbeten të pavarur dhe të lirë nga ndikimi politik.
Duhet të jenë të lirë të kërkojnë faktet kudo. Duhet të kenë guximin për ta bërë këtë. Shqipëria duhet të përkushtohet ndaj mbrojtjes së pavarësisë së prokurorëve për të siguruar përparimin e saj demokratik- tha kryediplomati amerikan në Tiranë.
Më tej ai pohoi se çdo lloj kanosjeje ndaj pavarësisë së prokurorëve është një hap i madh pas, ndërsa shtoi: Mbi prokurorët nuk duhet të ketë asnjë lloj trysnie politike.
Sipas Uidhersit Task Forcë e Tiranës, po merret si shembull i suksesshëm për drejtësi dhe luftë ndaj korrupsionit, jo vetëm në Shqiprëi, por sipas këtij shembulli po referohen edhe Mali i Zi apo edhe prokurorë nga Kirgistani.