E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen në kryeqytet vjedhësit serialë

Dy të rinj janë ndaluar nga policia, të dyshuar si autorë të një serie vjedhjesh

TIRANË- Autori i disa vjedhjeve në Tiranë, arrestohet në flagrancë nga policia e kryeqytetit në tentative për të vjedhur një dyqan.


E. Hoxha, 15 vjeç, banues në Tiranë, së bashku me Drini Xhelon, 21 vjeç, janë kapur dje nga efektivët e Policisë së Komisariatit 3, gjatë momenteve që kanë tentuar të vjedhin një dyqan.


Të dy personat, sipas burimeve të policisë dyshohen se janë autorë të disa vjedhjeve të ndodhura në Tiranë, ndërsa janë kapur në flagrancë për një vjedhje të kryer dy ditë më parë.


Sipas burimeve të policisë bashkëpunëtori tjetër i Hoxhës, 21- vjeçari Drini Xhelo, ka qenë dhe më parë i dënuar nga gjykata për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje. Burimet zyrtare nga Policia e Tiranës konfirmojnë se dy të arrestuarit janë autorë të disa vjedhjeve të ndodhura në kryeqytet që në muajin mars.


Po sipas policisë, E. Hoxha që ka marrë masën "arrest në shtëpi" nga Gjykata e Tiranës që në fillim të muajit prill, rezulton të jetë autor i disa vjedhjeve në Tiranë të realizuara në bashkëpunim me disa persona të tjerë.


Ky i fundit, bashkë me L. Xh, 17 vjeç, që ndodhet aktualisht i arrestuar për vjedhje, dyshohen të jenë autorë të grabitjes së dyqanit ushqimor në rrugën "Besa", ngjarje kjo e ndodhur që me 20 prill të këtij viti.


Ndërkaq, Hoxha dyshohet edhe për vjedhjen e farmacisë "Gledis", e kryer më 14 mars, vjedhjen e një dyqani në rrugën "Arkitekt Kasemi", ngjarje e ndodhur më 27 mars të këtij viti, si dhe tentativa për të vjedhur zyrat e Njësisë Elektrike Nr. 2 në kryeqytet. Për këto ngjarje, policia dyshon te adoleshenti 15 vjeçar E. Hoxha.


Dy të arrestuarit akuzohen për vjedhje në bashkëpunim dhe për vjedhje të mbetur në tentativë dhe policia po heton për të vërtetuar nëse dy të arrestuarit janë të përfshirë në grabitje të tjera të ndodhura në Tiranë gjatë ditëve të fundit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›