Shkodër, takim i policive të dy vendeve
SHKODËR- Funksionimi i doganës së përbashkët shqiptaro- malazeze në pikëkalimin kufitar Muriqanit, e para e këtij lloji në Ballkan, pritet të nisë më 15 qershor. Për këtë OSBE ka zhvilluar një takim ndër-rajonal mes drejtuesve të policisë kufitare të Shqipërisë dhe Malit të Zi me qëllim marrjen e masave të përbashkëta.
Personeli i dy vendeve do të shërbejë në të njëjtin ambient, i cili është ndërtuar me financim të Këshillit të Evropës. Sipas zëvendësdrejtorit të policisë kufitare të Malit të Zi, Vukoman Zarkoviç, bashkëpunimi mes policive kufitare të dy vendeve ka kohë që ka filluar dhe kjo doganë e përbashkët do të jetë një hap më tej në forcimin e bashkëpunimit kufitar të dy vendeve fqinjë. Në janar të këtij viti kanë nisur dhe patrullimet e përbashkëta të efektivave të policisë kufitare të dy vendeve ku deri tani janë realizuar 44 të tilla.
Në takimin e zhvilluar në Shkodër është theksuar se ky nivel bashkëpunimi do të ngrihet në nivele më të larta me funksionimin e doganës së përbashkët të dy vendeve në Muriqan.
Gjendet një kufomë burri e dekompozuar në liqen
POGRADEC-Rreth orës 7 e 30 minuta e mëngjesit të djeshëm, një kalimtar i rastit me biçikletë ka dalluar buzë liqenit të Pogradecit një kufomë njeriu të dekompozuar në zallin e liqenit.
Ai ka njoftuar menjëherë policinë me telefon, e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Kufoma ka qenë e dekompozuar pasi kishte kohë që kishte ngelur në liqen. Kufoma është dërguar në morgun e spitalit të qytetit për ekspertizë dhe identifikimin e saj.
Sipas burimeve policore, ka dyshime se kufoma mund të jetë e 37 vjeçarit Arjan Liçkollari nga fshati Vërdovë i Pogradecit baba i dy fëmijëve person në kërkim nga familjarët pasi ishte zhdukur në mënyrë misterioze që nga data 10 janar i vitit 2009.
Policia ka thërritur familjarët e Arjan Liçkollarit, të cilët me dekompozimin e shumtë që ka pasur kufoma nuk kanë qenë në gjendje ta njohin të afërmin e tyre. Sipas burimeve policore, pritet një grup ekspertësh nga laboratori i kriminalistikës në Tiranë për të kryer ekzaminimin e kufomës dhe identifikimin e saj.