Shqipëri-Francë luhet në Prishtinë?
Pak kohë më parë, presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka drekuar me Remzi Ejupin, kryetarin e KF Prishtinës, që ka nën zotërim edhe stadiumin e madh të Prishtinës. Asokohe, ishte thjesht një drekë pune, një bisedë paraprake për të njohur më nga pranë kushtet e impiantit më të madh të Kosovës dhe mundësinë reale që kombëtarja të spostohej në kryeqytetin e Kosovës pas shembjes së stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Por, në atë drekë asnjëherë nuk ishte folur për kohë punimesh, gjithnjë bëhej fjalë pas përfundimit të këtij edicioni eliminator. Por, situata mund të ndryshojë shumë shpejt. Në Kosovë është përhapur dje me shpejtësinë e dritës së kuqezinjtë mund t’i zhvillojnë në Prishtinë dy sfidat e fundit shtëpiake të mbetura, atë kundër Francës dhe Rumanisë. Ka qenë një faks zyrtar i FSHF-së ai që e ka detyruar Remzi Ejupin të dalë në një konferencë për shtyp. “Kjo iniciativë ka lindur nga presidenti Duka dhe kjo ofertë nga FSHF-ja është nder i madh për ne dhe i jemi falënderues për këtë”. Për presidentin e bardhekaltërve mbërritja e një kombëtareje, siç është ajo e Francës, në Prishtinë, do të ishte marketing i fortë për vetë Kosovën dhe futbollin e saj. “Imagjinojeni se çfarë jehone do të kishte në botë po të zhvillohej ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Francës në Prishtinë. Një marketing i mirë për Kosovën dhe futbollin kosovar”, tha Ejupi. Sipas tij, stadiumi i Prishtinës nuk është aq larg plotësimit të kritereve për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare, pasi që nevojiten disa intervenime që mund të kryhen për një kohë shumë të shkurtër dhe nuk ka ndonjë bazë ligjore që do ta pengonte këtë. “Lirisht mund të them se stadiumi i Prishtinës nuk qëndron aq larg për të plotësuar kriteret që kërkohen nga UEFA dhe FIFA për zhvillimin e ndeshjeve zyrtare. Nuk presim as që të ketë ndonjë pengesë ligjore nga UEFA. Dua të falënderoj shtetin shqiptar dhe Federatën Shqiptare të Futbollit e presidentin e saj Duka, për mundësinë e dhënë. Me një angazhim të përbashkët të institucioneve shtetërore, Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe vetë klubit tonë, mendoj se për një kohë të shkurtër do të kryhen të gjitha punimet e nevojshme në stadium. Besoj se e gjithë puna do të mundë të kryhej brenda 45 ditëve, por po përsëris se kjo punë nuk mund të kryhet pa ndihmën e qeverisë. Urgjentisht nevojitet mbulimi i stadiumit, rregullimi i vendeve për gazetarë dhe persona zyrtarë, ndërkohë që në përfundim e sipër është asfaltimi i infrastrukturës së jashtme të stadiumit që pritet të kryhet shumë shpejt”. Ejupi ka theksuar se nuk është bërë ndonjë parallogaritje se sa do të kushtonte projekti i rregullimit të stadiumit, por do të ishte në të mirë të të gjithëve. “Nëse do të kryhej ky projekt do të përfitonte populli i Kosovës, do të shihte dhe përkrahte kombëtaren e Shqipërisë nga afër, ekipi përfaqësues i Kosovës dhe klubi i Prishtinës, që do të kishin një stadium të kompletuar për të ardhmen.” Shqipëria do të zhvillojë ndeshjen me Francën më 2 shtator, derisa deri në fund të kampanjës kualifikuese për Euro 2012, si vendas, do të takohet edhe me Rumaninë, më 11 tetor.