Masa e sigurisë për Nazime Vishën, Gjykata, 30 ditë arrest me burg
Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” me kohëzgjatje 30 ditë për Nazime Vishën, e cila ekzekutoi ish-të dashurin e saj, 45 vjecarin, Fiqiri Muca. Në seancën gjyqësore ishte e pranishme vetë e akuzuara si dhe familjarët e 18 vjecares. Seanca gjyqësore ndaj Nazime Vishës u drejtua nga gjykatësi Neritan Cena, i cili i komunikoi dhe masën e sigurisë Nazime Vishës, e cila akuzohet për vrasjen e Fiqiri Mucës në Krrabë të Tiranës.
Gjatë seancës Prokurori i cështjes Blerim Tominaj, kërkoi arrest me burg për Vishën, ku gjatë leximit të pretencës për të akuzuarën për vrasje, theksoi se vertetohet rrëmbimi më 23 Maj i Nazimes pasi Fiqiri Muça s`ka pranuar dot fejesën e Nazimes, parashtroi se si provë materiale janë sekuestruar në vendngjarje 29 gëzhoja syze, celular. Tominaj duke e konsideruar vepër penale te rrezikshme kërkoi shpjegime dhe “arrest me burg” për Nazime Vishën, pasi theksoi se viktima ka ushtruar fillimisht marrëdhënie seksuale me dhunë, por më vonë marrëdhënia mes viktimës dhe të akuzuarës ka vazhduar me dëshirën e dy palëve.
Nga ana tjetër avokatja mbrojtëse e Nazimes, Vjollca Pustina, pranoi arrestimin e klientes së saj, duke kërkuar masë më të lehtë arresti, konkretisht ndjekje në gjendje të lirë, pasi garantoi se klientja e saj do të bashkëpunojë për cështjen. Ndërsa vetë Nazime Visha e pranuar se ka vrarë Fiqiri Mucën, por me arsyetimin për vetëmbrojtje, pasi sipas saj Muca do ta trafikonte atë në Kosovë. Nazime Visha rreth orës 1:00 pas mesnate të 13 gushtit ka qëlluar me breshëri kallashnikovi shtetasin Fiqiri Muca, duke e lënë të vdekur në vend. Duket se ngjarja e rëndë ka një historik, pasi dy familjet janë krushqi dhe mendohet se për disa vite viktima ka përfituar nga 18 vjecarja. Fiqiri Muca ishte vëllai i burrit të motrës së Nazime Vishës dhe që nga mosha 15 vjec ajo është keqtrajtuar dhe përdhunuar sistematikisht nga Fiqiriu. Prej dy muajsh vajza jetonte në shtëpinë e gjyshërve të saj në Krrabë.
Si duket Nazime Visha kishte vendosur të bëjë rezistence dhe ka lëshuar mbi keqtrajtuesin e saj breshëri plumbash,duke i shkaktuar edhe vdekjen. Ngjarja duket se është e lajmëruar, pasi dy muaj më parë Fiqiriu kishte mbajtur me dhunë për 10 ditë vajzën. Për këtë arsye familjarët vendosën që ajo të jetonte tek gjyshërit e saj. Edhe pas kësaj viktima ka tentuar përsëri që të lidhet me vajzën. Por si duket natën 13 gushtit i ishte sosur durimi edhe Nazime Vishës,e cila ka zbrazur mbi trupin e Fiqiri Mucës mbi 30 plumba.