Përse ricikluesit importojmë mbetje, kur Shqipëria është mbushur me plehra?
Tiranë- Importimi i mbetjeve (plehrave) është sot çështja që ka pushtuar vëmendjen e opinonit publik, medias, shoqërisë civile dhe politikës. Një nismë për organizimin e një referendumi është ende pa përgjigje zyrtare dhe opinioni publik është karikuar për ti thënë Jo një neni në ligjin për mbetjet, i cili parashikon edhe importin e disa mbetjeve për industrinë e riciklimit, nëse referendumi do të mbahet.
Media ka qenë në tërësi kundër këtij ligji dhe shoqëria civile, bashkë me opozitën gjithashtu. Në gjithë këtë debat të njëanshëm, ka munguar një zë. Zëri i atyre që bëjnë riciklimin e mbetjeve, pra i atyre që importojnë këto mbeturina (plehra) dhe që natyrshëm janë në ballë të akuzave, madje edhe për lidhje të bizneseve të tyre me njerëz të qeverisë.
Por, në fakt çfarë importojnë ata? A sjellin ata nga jashtë plehra, nga ato që mbushin kazanët e rrugëve dhe lagjeve tona, pra nga ato materiale që na ndotin rrugët dhe mjediset tona publike, apo mbetje të riciklueshme, pra lëndë të parë për bizneset e tyre? Çfarë prodhojnë ata nga këto lëndë që riciklojnë? Përse i blejnë nga jashtë këto lëndë, kur Shqipëria është e mbytur në mbeturina? Cili është kontributi i këtyre bizneseve në mjedis, ndotin apo ndikojnë në pastrimin e tij duke mbledhur lëndët e riciklueshme?
I rreshtuar në vijën e parë të frontit, përbërë nga gazetarë dhe aktorë të shoqërisë civile, kontribues për mbrojtjen e mjedisit dhe denoncimin e ndotësve të tij, vendosa ta vizitoj një impiant riciklimi. Të shikoj se çfarë ndodh brenda sipërmarrjeve importuese që ne i kemi vënë në shenjestër, për të mbrojtur mjedisin tonë.
Everest IE është themeluar që në vitin 1995 dhe operon në riciklimin e mbetjeve plastike. Ajo është një nga ato sipërmarrje që importon, pra është një nga ato që është në luftë me ne që jemi angazhuar në mbrojtjen e mjedisit tonë. Fabrika ka një kapacitet përpunues prej 480-550 ton/muaj, por për shkak të mungesës së lëndës së parë punon me kapacitet 160-200 ton/muaj. Ajo mund të prodhojë qese, çanta, thasë dhe ambalazhe të tjera, pra per produktet e gatshme, deri në 580-650 ton/muaj, por aktualisht prodhon 180-230 ton/muaj nga te cilat 120-150 ton/muaj eksportohen.
Në hyrje të fabrikës, administratori i saj Vullnet Haka, na tregon sheshin ku depozitohet lënda e parë, e cila më pas kalon në procesin e pastrimit dhe përpunimit, për tu shndërruar sërish në lëndë të parë, për tu përdorur për prodhimin e materialeve plastike, si qese për ambalazhe të ndryshe, thasë plastikë, etiketa etj.
Në pistën e shtruar me beton ka pirgje plastmasi, të cilat drejtuesi i fabrikës na thotë se janë blerë nga fermerët e Lushnjes dhe Beratit, të cilët pasi i ndërrojnë, i hedhin në pyje apo lugina lumenjsh. Ka pirgje të mëdha bidonash uji, bidonash që kanë shërbyer për ambalazhe detergjentësh etj. Këto mbeturina janë mbledhur rrugëve të Shqipërisë nga grumbullues të organizuar nga vetë ricikluesit. Si këto mbeturina kemi mbledhur edhe ne katër vjet me radhë, me mijëra vullnetarë, anëtarë të Korpusit të Vullnetarëve, ndërsa pastrojmë bregdetin. Janë këto mbeturina që njerëzit i hedhin rrugëve, lagjeve, fshatrave, përrenjvë e lumenjve dhe që përfundojnë në det, kur vërshojnë ujërat në dimër.
Me tej janë disa dengje të presuar, me mbeturina plastike të ndotura, të cilat sipas sipërmarrësit, janë mbledhur nga grumbulluesit nëpër kazanë apo në pikat e hedhjes së mbeturinave të qyteteve ku përzjehen bashkë të gjitha llojet e mbetjeve. Ato janë të vetmet që kutërbojnë dhe të kujtojnë se je në një vend që riciklon mbetje. Në fund të fushës së depozitimit janë disa dengje që kanë ardhur nga importi. Ato dallojnë nga te tjerët, janë shumë të pastra. Haka na thotë se këto kanë ardhur nga Italia. Kur i riciklojmë tregon ai bëjmë një përzierje mes atyre të vendit dhe atyre të importit, për të zbutuar pak shkallën e papastërtisë, pasi sado që i lajmë mbetjet tona, sërish ato bartin papastërti. Sipas tij, mbetjet që importohen janë më të pastra, sepse ato ndahen që në burim dhe nuk shkojnë njëherë në Sharrë ku përzjehen me mbeturina të tjera, për tu mbledhur me pas nga romët.
E gjithë kjo sasi mbeturinash pasi lahet, kalon në procesin e riciklimit, bëhet lëndë e parë dhe më pas shndërrohet në produkt, thasë plastamsi, qese për ambalazh, etiketa etj. Shumica e këtij prodhimi që del nga këtu, eksportohet, sipas sipërmarrësit.
Pyetja që na bën të gjithëve të habitemi se përse importohen mbetje, kur Shqipëria është plot me mbeturina, ka një përgjigje shumë të thjeshtë: Në Shqipëri mbetjet nuk mblidhen, ato hidhen tog në kazënë, rrugëve, lumenjve, përrenjev, në pikat e grumbullimit etj. Ndërsa vendet e tjera i ndajnë që në shtëpi vec plastikën, vec metalet, vec letrënkështu grumbullimi është i lehte dhe mbetjet janë thjeshtë produkte e jo plehra të ndotura.
E vizitova këtë fabrikë për të mësuar se çfarë ndodh në një impiant riciklimi dhe për të mos folur nga zyra për gjëra që nuk i kemi parë.
Unë e intervistova z.Vullnet Haka, jo për tu rreshtuar në anën tjetër të luftës për mbrojtjen e mjedisit, por për të qenë të gjithë të barabartë në një beteje publike e mediatike. Në fund të fundit, kështu e përmbushim më mirë detyrën tonë si gazetarë.
Gazeta IDEA do të jetë e hapur për të publikuar të gjitha qëndrimet dhe opinionet lidhur me këtë çështje shumë të ndjeshme.
