E Diel, 1 Nëntor 2026

Masa, kryekomunari dhe 3 zyrtarët mbetën në qeli për abuzim me pronat



BERAT – Kreu i Komunës Perondi, dhe tre zyrtarët e tjerë të arrestuar pesë ditë më parë në komunën Perondi të rrethit të Beratit janë lënë në qeli, ndërkohë që është shpallur në kërkim shefja e Kadastrës. Vendimi është dhënë dje në seancën e masës së sigurisë, ku trupi gjykues ka vendosur për Ramiz Obanin dhe tre funksionarët e tjerë Selim Piraj, Ismet Kapllani dhe Zarif Shushari masën “arrest me burg”. Në seancën e zhvilluar dje në Gjykatën e Beratit, përfaqësuesi i prokurorisë ka deklaruar se disponon prova dhe fakte sipas të cilave Oboni në sajë të falsifikimeve dhe duke përfituar nga posti i kryetarit të Komisionit të Kthimit të Pronave ka arritur të përvetësojë rreth 2 mijë metra katror tokë në fshatrat Perondi dhe Tapi. Por, me gjithë pretendimet e kreut të komunës Oboni se akuzat e prokurorisë janë tërësisht të pavërteta, kryetari i trupit gjykues Ibrahim Hoxha ka cilësuar si të ligjshëm arrestimin e Obonit dhe ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë me “arrest me burg”. Po kjo gjykatë e ka cilësuar si të ligjshëm edhe arrestimin e tre të ndaluarve të tjerë Selim Pira, Ismet Kapllani dhe Zarif Shushari, duke vendosur masën “arrest me burg” për shpërdorim të detyrës dhe falsifikim të dokumenteve të pronave. Mbrëmjen e pesë ditëve më parë kanë përfunduar në pranga kreu i komunës Perondi në rrethin e Kuçovës dhe 3 ish anëtarët e Komisionit të Ndarjes së Tokës, pasi dyshohej se kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë përvetësuar në mënyrë të jashtëligjshëm një sasie toke. Ndërkohë, është shpallur në kërkim edhe shtetasja Xhemile Qevani, që dyshohet se është bashkëpunëtorja kryesore e Obonit në këto falsifikime. Sipas burimeve të policisë vendore, Qevani ka qenë edhe më parë e dënuar nga drejtësia.

TË AKUZUARIT PËR ABUZIM

Ramiz Oboni, 50-vjeç, - kryetarin e Komunës Perondi, ish-kryetar komisioni
Ismet Kapllani,50-vjeç, - kryeplaku i fshatit Tapi në komunën Perondi
Selim Pire,46-vjeç, ish-anëtar komisioni për ndarjen e tokës në Tapi
Zarif Shushari,51-vjeç, ish-anëtar komisioni për ndarjen e tokës në Tapi
Xhemile Qevani, 55-vjeçe, - shefen e Kadastrës së komunës Perondi

23 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›