“Korrik 08” asgjëson 81 rrënjë Cannabis Sativa
VLORË – Edhe 810 rrënjë të tjera Cannabis Sativa janë asgjësuar nga strukturat e policisë së Qarkut të Vlorës në operacionet e zhvilluara gjatë dy ditëve të fundit. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës, Rezarta Leli, tha se bimët narkotike u zbuluan dhe u asgjësuan gjatë operacionit të koduar "Korrik '08", i cili u shtri në të gjitha komunat e rrethit. Sipas saj, sasitë më të mëdha të “Cannabisit”, u gjetën në fshatrat Kropisht, Drashovicë, Gërnec, Velçë dhe ishin kultivuar në parcela pranë shtretërve të përrenjve, gjë që e vështirëson procesin e identifikimit të personave që kanë lidhje me to. Sipas policisë vendore, operacioni "Korrik '08", që do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.
Arrestohet, i vuri zjarrin koshereve të bletës
GJIROKASTËR - Një 58-vjeçar është ndaluar nga policia e Gjirokastrës, pasi dyshohet si autori i vënies se zjarrit një ditë më parë në pikën turistike të Viroit, rreth 3 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, ku janë djegur edhe dhjetëra koshere me bletë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër thanë se Shuret Logri, lindur dhe banues në qytetin e Gjirokastrës, është ndaluar në orëve të vona të mbrëmjes së dy ditëve më parë, pasi ekspertët e kriminalistikës gjatë analizimit të provave materiale konkluduan se autori i zjarr-vënies është 58-vjeçari Logri. Zjarri i favorizuar nga era e fortë ka dalë jashtë kontrollit, duke djegur plotësisht 15 koshere bletësh dhe 7 të tjera janë dëmtuar pjesërisht. Dy ditë më parë u regjistruan disa vatra zjarresh në Sarandë, Gjirokastër dhe Mallakastër, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Zjarri në kasolle shkrumbon bagëtitë dhe 40 kuintalë drithë
RRESHEN - Një zjarr i rënë në një kasolle në fshatin Ndërfushas të bashkisë së Rrëshenit për pak sa nuk ka shkaktuar një tragjedi. Flakët e zjarrit që mbuluan ndërtesën që ndodhej fare pranë shtëpisë, rrezikuan jetën e pjesëtarëve të familjes Brunga, ndërkohë që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se nga djegia e kasolles janë shkrumbuar disa bagëti, baza ushqimore, disa materiale dhe pajisje shtëpiake që mbaheshin aty brenda. Por dëmtimi më i madh që i është shkaktuar familjes, janë shkrumbimi i plot 40 kuintal grurë që ishin brenda në ndërtesë. Familja Brunga jetonte me prodhimet bujqësore, pasi asnjëri prej tyre nuk ishte i punësuar.
Vodhi çiften me fishekë, prangoset 20-vjeçari
LIBRAZHD – Një 20-vjeçar është arrestuar pasi mesditën e së martës, në një nga çadrat e “Sil And Da” ka vjedhur një armë gjahu “çifte” së bashku me gjerdanin me 16 fishekë, të cilat i përkisnin shtetasit Q. C., 37 vjeç, lindur banues në Elbasan. Burimet zyrtare të policisw bwjnw tw ditur se ndaluan shtetasin Behar Hima, lindur dhe banues në fshatin Prevall të rrethit të Librazhdit. Vetë i dëmtuari bëri denoncimin në komisariatin e policisë së qytetit. Menjëherë pas tij, forcat e rendit nisën operacionin për kapjen e autorit të grabitjes së armës. Mësohet se 20-vjeçari ndodhet në dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë së Librazhdit në pritje të hetimit për veprat penale të “vjedhjes” dhe “prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve të gjuetisë sportive”.
Bllokohen dy lokale lojërash fati, penalizohen pronarët
VLORË – Dy pronarë të qendrave të lotarive sportive janë ndëshkuar nga tatimorët pasi kryenin aktivitet pa zbatuar legjislacionin fiskal. Gjatë një kontrolli të ushtruar në qytetin e Vlorës, strukturat e Seksionit të Krimit Ekonomik konstatuan se dy lokale lojërash fati në qytetin e Vlorës kryenin aktivitet pa pasur licencë. Sipas burimeve policore, janë sekuestruar 6 makineri elektronike dhe një kompjuter, të gjitha të shoqërisë "Top Bast", për shkak se nuk ishin të pajisura me dokumentacionin përkatës dhe ishin të palicencuara. Ndaj pronarëve të tyre, Arben Dyrmishi dhe Sefer Karafili, nisi procedimi penal në gjendje të lirë. Ata akuzohen për veprën penale të “organizimit të veprimtarive të palejuara”.
23 Korrik 2008