E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjakën rrugët, bie në greminë makina me turistë kosovarë



Edhe gjatë 36 orëve të fundit është shënuar një bilanc tragjik në rrugët e vendit tonë, ku të paktën 2 persona kanë gjetur vdekjen dhe 4 të tjerë janë plagosur rëndë. Dy viktimat u regjistruan në kryeqytet, ndërsa një makinë me dy shtetas nga Kosova që po vinin për pushime në vendin tonë ka dalë nga rruga duke sjellë dëmtime serioze. Për shkak të dëmtimeve në aksin Morinë-Kukës, pasi po kryhen punimet për ndërtimin e rrugës së re, mjeti ka rënë disa metra poshtë aksit rrugor fare pranë pikës kufitare. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Qarkut të Kukësit, janë lënduar shtetasit; Filzen Muça dhe Shifran Haxhia, që të dy nga Theranda e Kosovës.
Viktimat
Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Tiranës pohojnë se është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Endrit Veliut, 21 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë pasi në rrugën “Qemal Stafa”, teksa po drejtonte automjetin tip fuoristradë, me targa TR. 3628 P, është përplasur me një motoçikletë me drejtues Xhavit Sharrë, 61 vjeç. Sipas tyre, nga përplasja është aksidentuar drejtuesi i motoçikletës, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. U kryen veprimet procedurale nga grupi hetimor i posaçëm në vendin e ngjarjes dhe materialet e përpiluara në ngarkim të tij, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.
Një tjetër aksident i rëndë automobilistik me pasojë vdekjen e një 38–vjeçari ndodhi dy ditë më parë në autostradën Vorë - Tiranë. Burime të sigurta thanë se automjeti tip “Benz”, me targë TR. 3449 L, i drejtuar nga Blendi Veseli, 38 - vjeç, banues në Tiranë, si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuar ka humbur kontrollin e mjetit, duke u përplasur me një shtyllë ndriçimi metalike, dhe më pas ka përfunduar disa metra larg rrugës dytësore. Për pasojë të këtij aksidenti ka gjetur vdekjen drejtuesi i automjetit, ndërsa janë plagosur pasagjerët që ndodheshin në këtë automjet shtetasit Vasillaq Lushka, 26 - vjeç, banues në Pogradec dhe Artan Risto, 45 - vjeç, banues në Tiranë, të cilët u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Të plagosurit
Dy kosovarë kanë mbetur të plagosur rëndë teksa po vinin në Shqipëri përmes aksit Morinë-Kukës. Rruga e dëmtuar për shkak të punimeve dhe errësira kanë bërë që mjeti të dalë nga aksi rrugor, duke sjellë plagosjen e tyre. Burime zyrtare të policisë lokale thanë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02,30 të mëngjesit të djeshëm, kur mjeti tip “Opel” me targë 541 KS 115, që drejtohej nga shtetasi Filzen Muça nga Theranda, në afërsi të shkollës së Morinit, vetëm rreth një kilometër nga dogana, ka dalë nga rruga duke rënë disa metra poshtë. Si pasojë, ka mbetur i plagosur rëndë drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri tjetër, Shifran Haxhia edhe ky nga Theranda. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë forcat e policisë, të cilat kanë dërguar në spitalin civil të qytetit të plagosurit. Pas ndërhyrjes kirurgjikale, 31-vjeçari Muça dhe 21-vjeçari Hoxha janë jashtë rrezikut për jetën. Burimet policore bëjnë të ditur se shkak i aksidentit ishte pagjumësia e drejtuesit të mjetit. Por, aksi rrugor është i dëmtuar për shkak të punimeve që po kryhen nga firmat shqiptare, si dhe mungojnë tabelat orientuese, duke u bërë shkas për aksidente të shumta në radhët e kosovarëve të cilët preferojnë të pushojnë në plazhet shqiptare gjatë verës.

TË AKSIDENTUARIT

Xhavit Sharrë, 61 vjeç, Tiranë, - vdekur
Blendi Veseli, 38 vjeç, Tiranë, i vdekur
Vasillaq Lushka, 26 vjeç, Pogradec, - e plagosur
Artan Risto, 45 vjeç, Tiranë – i plagosur
Filzen Muça, 31 vjeç, Kosovë - i plagosur
Shifran Haxhia, 21 vjeç, Kosovë - i plagosur

23 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›